Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar pjesërisht ankimin e ish-zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, lidhur me sekuestrimin e sendeve të saj personale gjatë një kontrolli të urdhëruar nga SPAK.
Gjana e kishte ankimuar vendimin duke pretenduar se sendet e saj personale, në cilësinë e personit të tretë, ishin sekuestruar pa bazë ligjore, duke kërkuar kthimin e tyre.
Bëhet fjalë për 8 telefonat që SPAK i ka sekuestruar Gjanës dhe të tjerëve në kuadër të hetimit të AKSHI-t dhe që shkalla e parë e GJKKO vendosi sekuestron dhe rrëzoi kërkesën e të dyshuarve për t’i rikthyer aparatet, në seancën e 7 janarit të këtij viti.
Zyrtares së Policisë së Shtetit Ervina Gjana iku sekuestruan telefonat gjatë kontrollit të banesës së saj dhe të bashkëjetuesit Renato Hristic. Hetimet lidheshin me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Gjatë kontrollit në banesën e Drejtoreshës së Krimit Kibernetik, autoritetet kanë sekuestruar tetë telefona celularë dhe dy laptopë, në kuadër të hetimeve mbi grupin kriminal të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sekuestrimi i telefonave dhe laptopëve u krye në kuadër hetimit për përfshirje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik, ku rezulton i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Renato Hristiç.
Ndërkohë emri i saj është përmendur edhe në bisedat e publikuara të Ergys Agasit.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.


