Derisa rritja e çmimeve mbledh një kafshatë në rritje nga kuleta e amerikanëve, sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen, ka pranuar se vitin e kaluar ajo ka gabuar për “rrugën ku do të merrte inflacioni”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ka pasur goditje të paparashikuara dhe të mëdha në ekonomi që kanë rritur çmimet e energjisë dhe të ushqimeve, si dhe pengesa të furnizimit që kanë ndikuar keq në ekonominë tonë, që në atë kohë nuk e kuptoja plotësisht”, pranoi Yellen në një intervistë të transmetuar nga CNN.
Inflacioni amerikan në muajin mars arriti në nivelin më të lartë në më shumë se 40 vjet, përkatësisht duke regjistruar një normë vjetore prej 8,5 për qind.
Javët e fundit po ashtu edhe disa zyrtarë të Rezervës Federale (Fed) thanë se inflacioni në vend është i krahasueshëm me nivelet e regjistruar në vitet 1974 dhe 1983.
Kreu i Rezervës Federale të qytetit St. Louis, James Bullard, tha se Fed në vitin 1974 i mbajti normat e interesit relativisht të ulëta përballë rritjes së inflacionit, por i mbajti ato relativisht të larta kundër inflacionit në rënie.
Kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, pasi vitin e kaluar disa herë tha se rritja e çmimeve pritet të jetë e përkohshme, është kritikuar si shumë i ngadalshëm në luftën e inflacionit.
Dje, president i SHBA-së, Joe Biden, u takua me Powell në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi inflacionin rekord.
Biden përsëriti se përparësia e tij kryesore është “adresimi i inflacionit”, duke theksuar se ajo fillon me respektimin e Fed-it dhe pavarësinë e saj. Ai po ashtu premtoi se nuk do të ndërhyjë në punën e Fed-it për të ulur inflacionin.
Powell dhe anëtarët e tjerë të Fed-it, tha Biden, janë të “përqendruar në mënyre intensive në trajtimin e inflacionit, siç jam edhe unë”. Ai shtoi se politika monetare e bankës qendrore do të “adresojë krizën për popullin amerikan”.
Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Brian Deese dhe sekretarja Yellen, e cila udhëhoqi Fed-in para shefit aktual, po ashtu ishin të pranishëm në takim.
Gjatë takimit, Yellen theksoi ecurinë e mirë të ekonomisë në aspekte të tjera, veçanërisht punësimin, por tha se ajo nuk pret që të vazhdojë i njëjti ritëm i fitimeve të mëdha të vendeve të punës.