Shkruan: Muhamed ISMAILI, Sekretar gjeneral i partis UNITETI
Të gjithë fituan nga pak dhe të gjithë humbën nga pak. Më së shumti humbën shqiptarët.
Populli shqiptar në Maqedoni dje reflektoi. Pas më shumë se një dekadë përkrahje masive të partisë politike që doli nga UÇK, BDI-së, kuptoi se vota e tyre ishte keqpërdorur në mënyrën më të keqe. Për përfitime personale dhe grupore, BDI me mbi 153 mijë vota shqiptare shkaktoi irritimin më të madh të mundur tek kjo popullatë e vuajtur. Vasalitet ndaj antishqiptarëve të përbetuar, VMRO-së. Nënçmim dhe përbuzje të gjithçka ishte shqiptare. Të krenarisë, trimërisë, bujarisë, besnikërisë. Të gjakut, djersës dhe votës. Diskriminim në të gjitha sferat e jetës. Në punësim, në përdorim të gjuhës, në qasje te buxheti, në zhvillim ekonomik. Zhvillim dhe integrim i bllokuar i vendit, shpresë e vrarë për të ardhmen. Vrasje të pazbardhura të shqiptarëve, raste të montuara dhe dënime me burg të përjetshëm, rrahje fëmijësh shqiptar dhe sharje publike të shqiptarëve, kulturës dhe gjuhës së tyre.
Në këtë gjendje apatike, shqiptarët votuan për ta dënuar BDI-në dhe “shefin” e tyre VMRO-në. Dënim deri në urrejtje. Numri i madh i votave shqiptare për një parti maqedonase (LSDM), kyçja e disa individëve në parti maqedonase ishte mesazh i qartë deri tek Ali Ahmeti dhe klika e tij se askush s’mund të tallet me shqiptarët dhe t’i shesë ata tek maqedonasit. Shqiptarët nuk janë në shitje, nuk kanë çmim. Ata kanë ngelur pa udhëheqës, kanë ngelur pa siguri për familjen e tyre, pa të ardhura të nevojshme mujore, pa shkolla dhe spitale me cilësi të nevojshme. Shqiptarët po digjen me zjarr në Islandë për të mos u kthyer te vendi ku sundojnë Ahmeti me Gruevskin.
Prej sot ka filluar një epokë e re.
Opozita shqiptare në Maqedoni me mbi 125 mijë vota të fituara delegjitimoi Ahmetin si lider të shqiptarëve, i cili, me gjithë paratë e derdhura për blerje votash, me makineritë mediale për larje të trurit, me skenarët për shërbime e qendra antishqiptare që gjoja i janë vërsulur “indit shqiptar”, me presion të paparë ndaj administratës shtetërore… mezi arriti të ketë 86 mijë vota. Nëse në kuotën e votave opozitare shtohen edhe dhjetëra mijëra fleta votimi të shqiptarëve që rrethuan numrin 4, Ahmeti dhe BDI do duhet t’u kërkojnë falje publike shqiptarëve dhe ta dorëzojnë pushtetin në mënyrë të qetë. Pas kësaj, Prokuroria Speciale e ka fjalën.
Tani, shfrytëzoj rastin t’u uroj shqiptarëve për ndryshimin e votuar. Posaçërisht uroj strukturat, përkrahësit dhe votuesit e Aleancës për Shqiptarët, të cilët, edhepse pa para, pa përkrahje mediale, me shantazhime të shumta nga të gjitha anët, arritën të bashkohen rreth një kauze, për të ofruar alternativë kombëtare dhe shpresë për gjeneratat e ardhshme. Arritën këtë platformë t’ia afrojnë çdo qytetari shqiptar. Arritën t’u tregojnë atyre se ka edhe shqiptarë NDRYSHE nga ata deri më tani. Ju faleminderit nga thellësia e zemrës. Beteja vazhdon deri në fitore të plotë.
Dua t’u uroj në mënyrën më të sinqertë miqve të mi në Lëvizjen Besa dhe të gjithë përkrahësve të tyre për rezultatin e arritur. Shpresoj të qëndrojnë fortë në qëndrimet e deklaruara, si dhe me veprat e tyre të demantojnë spekulimet ndaj tyre. Misioni vazhdon më tej.
Nëse rezultatet paraprake të KSHZ-së vërtetohen, atëherë Maqedonia nga kriza e thellë politike ka kaluar në një ngërç institucional në të cilin rëndë do formohet qeveria e re, por edhe më rëndë do mund të funksionojë normalisht. Përsëri fjalën do duhet ta ketë Prokuroria Speciale, por kësaj radhe me departament special të gjykatës. Pastaj, shkojmë përsëri në zgjedhje.