Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis arriti sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Shkupi”.
Pas pritjes në aeroport Matis, në Qeveri do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ndërsa më pas është paraparë deklaratë e përbashkët për mediat.
Matis paraprakisht këtë javë paralajmëroi se do ta vizitojë Maqedoninë që të shprehë mbështetje të qartë për referendumin e ardhshëm për çështjen e emrin.
“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe do ta bëj të qartë se SHBA-ja e mbështet popullin e Maqedonisë”, tha Matis në një deklaratë për gazetarët në Pentagon.
Matis theksoi se është i brengosur se Rusia mund të tentojë të përzihet në procesin e referendumit në Maqedoni.
“Nëse keni votim, Moska do të përzihet. Unë jam i shqetësuar për këtë. Përzierja të tillë Rusia ka praktikuar nga Estonia e deri në SHBA, nga Ukraina dhe tani deri në Maqedoni, gjithmonë i përshtatet situatës konkrete”, tha ai.
Për herë të parë në 14 vitet e fundit një sekretar amerikan i Mbrojtjes ndodhet për vizitë në Maqedoni.

