Lëvizja BESA i ka bërë thirrje publike Prokurorisë Speciale që deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”. Blerim Sejdiu nga sektori juridik i Lëvizjes, tha se pavarësisht vendimit të Këshillit të Prokurorëve për rastin “Sopoti”, gjykojnë se PSP-ja ka materiale të mjaftueshme që ta iniciojë vetë atë lëndë. Nga BESA kërkojnë që PSP të mos lejojë që drejtësia e politizuar e dyshes VMRO-BDI të tallet ende me jetën e të përvuajturve të Sopotit dhe të Monstrës.
“E nëse kjo nuk bëhet deri të premten dhe pastaj nuk bëhet asnjëherë me arsyetimin e skadimit të afatit, do të konsiderohet si mashtrim dhe tradhti ndaj atyre që e vuajnë burgun e përjetshëm për shkak të drejtësisë së politizuar në Maqedoni. Në fakt, çdo ditë e kaluar në burg është krim i pafalshëm që shteti ushtron ndaj këtyre qytetarëve!”, deklaroi Sejdiu.
Nga Lëvizja BESA thonë se mekanizmat për zbardhjen e së vërtetës për këto dy raste, përpos se janë në duart e Prokurorisë Speciale Publike, janë edhe në duart e kësaj qeverie. Nga BESA rikujrojnë se këto premtime i bëri edhe Zoran Zaevi për votuesit shqiptarë, duke nënvizuar se ekzistojnë dëshmi se shqiptarët e këtyre rasteve gjykohen pa të drejtë.
“Në të kundërtën, nëse këto raste nuk procedohen, ne do t’i japim të drejtë vetes të konstatojmë se edhe PSP-ja vepron me diktat politik dhe shërben si lavatriçe që i pastron ministrat e korruptuar të BDI-së. Lëvizja BESA vlerëson se, pa zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve, nuk mund të flitet për situatë stabile ndëretnike dhe kthim të besimit në institucionet e vendit”, tha Sejdiu.
Sejdiu deklaron se BESA nuk do të heshtë dhe asnjëherë nuk do të heqin dorë deri në zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve! Ndryshe PSP ka paralajmëruar për nesër Konferencë për media, ku do të zbardhin akuza për raste të reja që dalin nga bisedat e përgjuara.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Sejdiu: PSP deri të premten të procedojë… by tvshenjaofficial

