Fatkeqësitë natyrore që lidhen me ndryshimet klimatike zvogëlojnë rritjen mesatarisht prej 0.4 pikë përqindjeje, ndërsa në ekonomitë më pak të zhvilluara deri në 0.7 pikë përqindjeje, sipas llogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vlerësimet janë se në periudhën në vijim efekti negativ do të jetë edhe më i madh, sidomos në ekonomitë më pak të zhvilluara, gjë që tregon se është veçanërisht e rëndësishme që të merren parasysh ndryshimet klimatike gjatë krijimit të politikave të ardhshme ekonomike.
“Energjia, tranzicioni i gjelbër dhe infrastruktura” është një nga shtyllat mbi të cilat do të bazohet diskutimi në kuadër të Forumit ekonomik dhe financiar, Shkup – SEFF, i cili organizohet nga Ministria e Financave në datë 30 dhe 31 maj, ku shtetarë të lartë dhe ekspertë të njohur nga fusha dhe komuniteti i biznesit do të debatojnë lidhur me temën “Rritje e qëndrueshme në kohë pasigurie dhe përtej”.
Kriza aktuale tregoi se sa e ndjeshme mund të jetë bota ndaj lëvizjeve të çmimeve tregtare në çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Prandaj, investimi në energji të qëndrueshme dhe bujqësi të qëndrueshme është në krye të axhendës së prioriteteve të hartuesve të politikave. Koncepti i “ekonomisë së gjelbër” nënkupton ekonomi që është rezistente dhe që mund të krijojë cilësi më të mirë jetese për të gjithë brenda kufijve ekologjikë. Ky koncept gjithpërfshirës stimulon gjithashtu uljen e varfërisë, zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, qasjen në ujë të pastër dhe energji. Çdo vend duhet të ketë plan afatgjatë për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër me prioritete të përcaktuara në mënyrë të qartë.
Në drejtim të financimit të axhendës së gjelbër, Ministria e Financave në Planin për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike ka paraparë mënyra për financimin e axhendës së gjelbër dhe kjo nuk duhet të rezultojë në zgjerimin e deficitit. Përmes këtij plani do të mobilizohen mjete nga sektori privat në drejtim të zbatimit të projekteve që do ta përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe do të krijojnë vlerë të shtuar, si dhe do të jenë drejtim me standardet ekologjike.
Plani për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike vendos instrumente të reja financiare që destinohen në përmbushjen e “Axhendës së gjelbër” dhe tranzicionit të gjelbër, siç janë fletobligacionet e gjelbra që synojnë mobilizimin e mjeteve lidhur me projektet për përmirësimin e mjedisit jetësor, përkatësisht përmirësimin e efikasitetit energjetik, uljen e ndotjes, bujqësinë e qëndrueshme, mbrojtjen e ekosistemeve ujore dhe tokësore, sigurimin e transportit të pastër dhe menaxhimin e qëndrueshëm me ujërat, aplikimin e teknologjive ekologjike – cultivating environment-friendly technologies, etj.
Me anë të këtij plani parashihet edhe formimi i Fondit për efikasitet energjetik, në kuadër të Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mjetet ndër të tjera do të destinohen për investime efikase energjetike të ardhshme, si dhe për financimin e investimeve në efikasitet energjetik dhe energji të ripërtëritshme në ndërtesat publike. Gjithashtu, parashihet financim edhe përmes Fondit për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për rritjen dhe zhvillimin e tyre si dhe Fondit të gjelbër strategjik të investimeve me qëllim të investimit në projekte të ndërmarrjeve të mëdha.
Rritja e ndërgjegjësimit të përgjithshëm për projektet klimatike dhe ekonominë e gjelbër ka rëndësi të veçantë sepse investimi në projekte të gjelbra, para së gjithash, energjia e qëndrueshme dhe bujqësia e qëndrueshme, do ta bëjnë ekonominë tonë shumë më rezistente ndaj goditjeve globale, të tilla si ato që ballafaqohemi aktualisht.