Seanca publike për rastin “Monstra” do të zhvillohet ditëve në vazhdim. Si data të mundshme për këtë seancë janë paraparë 18, 22 ose 30 maj. Siç njoftuan nga Gjykata Supreme, problemi i caktimit të seancës qëndron në objektin dhe sigurimin e tij policor pasi parashikohet që do të ketë shumë interes për ta ndjekur procesin.
Kryetari i Gjykatës Jovo Vangellovski tha se janë shqyrtuar disa objekte alternative që kanë rezultuar si problematike në aspektin e sigurisë, kështu që në momentin që do të gjendet objekti i përshtatshëm i cili mund të sigurohet nga policia dhe mund të grumbullojë një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, atëherë do të thirret seanca. Por, ka gjasë që seanca të ndiqet edhe nga Video Bimi, ose ekrani i madh dhe të mos ketë hyrje të lirë në seancë për të gjithë të interesuarit.
Kryetari i Supremes, Jovo Vangellovski nuk lëshoi mundësinë të komentojë për epilogun e mundshëm të këtij rasti, duke thënë se i vjen keq që as lideri i opozitës Zoran Zaev i cili pati paralajmëruar prova për të vërtetën e Monstrës, e as Prokuroria Speciale nuk nxorrën asgjë në shesh.
“Lideri i opozitës pati thënë se ka materiale të përgjuara për këtë rast, edhe Prokuroria Speciale ka deklaruar diçka të ngjashme. Por, deri më tani më vjen keq që nuk ka asgjë”, ka thënë Jovo Vangellovski, kryetar i Gjykatës Supreme.
I pyetur se përse ju duhej aq shumë kohë për të thirrur seancën publike, Vangellovski fajin e hodhi tek Prokuroria Republikane e cila fillimisht duhej të japë mendim për këtë rast. Por, siç tha Vangellovski, kjo prokurori nuk ka dorëzuar asnjë mendim për këtë rast edhe pse e ka mbajtur në shqyrtim më shumë se gjashtë muaj.
Me kërkesë të mbrojtjes, pas ankimimit të vendimit të paraburgim të përjetshëm, do të mbahet seancë publike në të cilën do të shqyrtohet mundësia e rigjykimit. Por në rast se edhe Gjykata Supreme vërteton vendimin e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, atëherë instanca e vetme ngelet Gjykata e Strazburgut.
Më 30 qershor të 2014-tës, Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1 me të cilin ankesat e palës mbrojtëse janë refuzuar si të pabaza dhe kështu mbeti në fuqi burgu i përjetshëm për pesë të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Liqenit të Smillkovës.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Seancë e hapur për “Mostrën” në gjysmën e dytë… by tvshenjaofficial

