Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në pjesën e pasdites të vazhdimit të sotëm të seancës konstitutive vazhdoi me replikat dhe kundëreplikat dhe vërejtjet procedurale.
Në fokus të debatit ishte Deklarata e Tiranës dhe kërkesa për zgjedhje të reja parlamentare. Deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan se qytetarët janë mashtruar dhe prandaj janë në rrugë dhe se realizimi i deklaratës do të thotë vendosje e dygjuhësisë, ndryshim i emrit, flamurit dhe himnit.
Deputeti Maksim Dimitrievski i LSDM-së, tha se me vetëdije po bllokohet puna e Kuvendit, ndërsa me këtë edhe e proceseve në shtet dhe kërkoi që të mundësohet transfer i qetë i pushtetit.
“Është koha që populli ta marrë shtetin në duart e veta. Kjo që po bëni është e turpshme. Të gjitha nenet e Rregullores jeni duke i shkelur me vetëdije. Jemi duke bërë debat joproduktiv i cili nuk i zgjidh problemet në vend. Qytetarët tanë janë duke u ballafaquar me probleme esenciale reale”, tha Dimitrievski, duke e akuzuar kryesuesin e Kuvendit, Trajko Veljanoski se është më përgjegjësi për këtë situatë.
Veljanoski reagoi duke thënë se nuk mund t’i shkel të gjitha nenet e Rregullores, ndërsa produktivitetin, sipas tij, më së miri e vlerëson opinioni.
Debati për pikën e tretë të rendit të ditës në seancën konstitutive vazhdon nesër në orën 11.