Në ditën e shtatëmbëdhjetë të debatit, deputetët nuk ndryshuan kahjen e tij dhe as retorikën e zakonshme të katër javëve të kaluara. Edhe përskaj thirrjeve të vazhdueshme nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, deputetët e partisë së Zaevit përsëri refuzuan të kyçen në debat. Partia e Gruevskit akuzoi opozitën e deritanishme për shkaktimin e krizës politike, tre vite më parë dhe kërkoi takim të ri liderësh.
Maqedonia është shtet i bllokuar tashmë tre vite sepse dikush organizoi protesta të dhunshme, u vu flakën zyrave dhe institucioneve si të Presidentit të shtetit, sepse dikush prodhoi krizë kur shteti kishte rritje ekonomike prej 3,4 % – tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Pasojat do të jenë shumë të rrezikshme; ajo që në teorinë e kaosit njihet si “butterfly effect” prandaj një incident mund të shkaktojë incidente të paparashikueshme për vendin – tha Vesel Memeti, Aleanca për Shqiptarët.
Unë jam i bindur se pas këtyre 17 ditësh, edhe nga LSDM-ja, edhe nga partitë shqiptare, kuptohet edhe nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë shqiptare janë të bindur se përveç uljes në tavolinë të përbashkët dhe hapjes së të gjitha çështjeve të pazgjidhura, dhe çështjeve që prekin rregullin Kushtetues, në këtë mënyrë nuk mund të kalojnë – tha Krste Mukovski, VMRO-DPMNE.
Megjithatë LSDM-ja thotë se zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin rezultat e takimeve të liderëve dhe Marrëveshjes së Përzhinës dhe nuk sheh arsye për takime të tjera kurse sipas tyre, zgjidhja do të vijë nga shumica e re parlamentare.
Për çfarë do të bisedonim në takim liderësh dhe me kë? Ne kemi pasur takime liderësh me të cilën u arrit Marrëveshja e Përzhinës dhe u realizua qëllimi përfundimtar i tyre, zgjedhjet parlamentare. Ndryshime do të ketë shumë shpejt sepse shumica parlamentare do ta ndërmarrë përgjegjësinë. Ky proces do të zhbllokohet dhe për këtë do të ketë edhe përgjegjësi tjetër përveç asaj politike, për Gruevskin si porositës dhe Veljanovskin dhe Ivanovin si zbatues të porosisë – tha Petre Shilegov, LSDM.
Shumica e re parlamentare, nuk përjashton mundësinë që këtë iniciativë ta ndërmarrë në çdo moment ndërkohë që seanca si zakonisht do të zgjasë deri në orën 18.