Ka vazhduar gjyqi për djegien e modularit në Tetovë. Seanca vazhdoi me leximin e dëshmive nga ana e prokurorit, por kjo hasi në kundërshtime të ashpra nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve. Shkak për këtë ishte leximi i titujve të fletë dëshmive nga ana e prokurorit dhe jo zbardhja e tërësishme e tyre siç kërkonin avokatët mbrojtës. Ata kundërshtuan edhe listën e dëshmive, e cila, sipas avokatëve, disa figurojnë vetëm në listë por jo dhe te materiali i dëshmive. Pas këtij reagimi të palës mbrojtëse, gjykatësi i lëndës Jordan Vellkovski, urdhëroi sjelljen e gjithë materialit, ku u bë leximi një nga një i dëshmive dhe rezultoi se disa prej tyre, nuk figuronin në materialin e dëshmive të dorëzuar nga prokurorët. Kontestuese për palën mbrojtëse ishte edhe kontrata për ndërtimin e modularit, e cila, sipas tyre ishte e shkruar vetëm në gjuhën angleze.
Avokatët mbrojtës po ashtu kërkuan edhe sjelljen e ekspertëve që kanë bërë hetimet te objekti i djegur, pas çka, gjykatësi vendosi që seanca të ndërpritet dhe e njëjta të vazhdojë më 16 janar. Para fillimit të gjykimit, përpara dyerve të gjykatës, u mblodhën dhjetëra banorë të Tetovës, të cilët, kishin ardhur për të kërkuar lirimin e të akuzuarit të tretë, mjekut Boban Vuçevski.