Dyshoj se ky rast është i montuar, ashtu edhe kjo lëndë penale dhe atë në mënyrë klasike, konsideron Naser Raufi, avokat i të akuzuarve në rastin “Monstra”, pasi sot në Gjykatën supreme në Shkup u mbajt seanca e hapur lidhur me rastin për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.
Sipas Raufit, dëshmitari i mbrojtur me paraqitje të ndryshme e tregon dyshimin e tij.
“Ka bërë gabime gjatë detajeve kur ka regjistruar të akuzuarit, ka përzier persona dhe nuk ka dhënë imazh të qartë. Nuk e flet të vërtetën dëshmitari, gjykata le ta shqyrtojë”, ka thënë Raufi.
Para kësaj edhe avokati Gjorgji Nastevski ka thënë se kur është sjell aktvendimi nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta.
Në fillim të seancës së hapur në Gjykatën supreme, madje është lexuar aktvendimi ku thuhet se të akuzuarit kanë planifikuar mirë rastin pasiqë kanë gjetur mënyrë për t’u arratisur.
Njëri nga të akuzuarit ka kërkuar t’i hiqen prangat derisa zgjati seanca dhe nga një anëtar i familjes të merr pjesë në seancën. Seanca e hapur ku duhej të shqyrtohet ankesa e të akuzuarve kundër aktvendimit disa herë deri më tani është anuluar. (E.B-K)