Paraditen e sotme hapësira para Gjykatës Kushtetuese ka qenë e mbërthyer nga forca të shtuara policore por edhe protestues të cilët në emër të Frontit Evropian erdhën për të shfaqur revoltën lidhur me nismat për kontestimin e gjuhës shqipe.
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, para Gjykatës Kushtetuese, deklaroi se duhet të hidhen poshtë të 13-të nismat për shfuqizimin e gjuhës shqipe. Ai potencoi se nuk janë këtu për të shkaktuar përplasje por që të dëgjohet zëri I arsyes. Ndryshe sot përfundoi nisma “Roja e Gjuhës”, por, sic u tha, sërish do të aktiviziohet kur Gjykata Kushtetuese të mbajë seancën përgatitore.
Nga ora 09.00 e mëngjesit, gjysmë ore para fillimit të seancës së Kushtetueses, para objektit të saj ishin tubuar qindra qytetarë që disa ditë me radhë protestonin për të Mbrojtur Gjuhën Shqipe.
Pak minuta më vonë atyre ju bashkangjitën krerët e Frontit Europian të prirë nga Ali Ahmeti e Ziadin Sela.
Kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi që Gjykatësit Kushtetues të hedhin poshtë të 13-të iniciativat e pranuara kundër ligjit të gjuhëve.
ALI AHMETI – KRYETAR I BDI-së
“Sot kjo gjykatë e njëanshme duhet të hedhë poshtë 13 iniciativat për suprimimin e gjuhës shqipe. Ky do të ishte vendimi më i mençur i tyre se edhe ashtu etnikisht janë të pastër aty, pa praninë e komuniteteve më të madha shqiptar dhe komunitetit të tretë turk. Ne duam paqen, stabilitetit, ne kemi ardhur familjarisht. Nuk kemi ardhur as të përplasemi por të dëgjohet zëri i arsyes. Çdo vendim, le ta dinë gjykatësit, që do të futet në zemëratën, në revoltën e çdo shtëpie këtu në Republikën e Maqedonisë”, tha Ali Ahmeti.
Të pranishmëve para Gjykatës Kushtetues iu drejtua edhe Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
ZIADIN SELA,KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Gjuha, avacimi i saj, implementimi i gjuhës dhe të drejtës së qyetarëve për gjuhë, natyrisht që duhet të jetë shtyllë e cila na bashkon të gjithëve neve, e cila shkon përtej ndasive politike dhe asesi nuk duhet të jetë objektë dhe subjektë përçarje dhe akuze ndërmjet njëri tjetrit. Ne duhet të jemi të unifikuar dhe të bashkuar dhe qëndrimet për të mbrojtur, fund-fundit edhe sakrificën e shumë njerëzve edhe përpara nesh”.
Pas përfundimit të seancës së gjykatës kushtetuese, Fronti Europian, ashtu sic kishte premtuar, ka hequr tashmë tendat nga Gjykata Kushtetuese dhe pritet rikthimi i të njëjtave sërish, kur Gjykata Kushtetuese të mbajë seancën përgatitore për të diskutuar për 13 pikat e “ankimuara” nga persona fizik e juridik. /tvklan.mk