Po ulet numri i deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Çedomir Sazdovski, ish deputeti i GROM-it, vendosi ta braktisë partinë dhe në Kuvend të veprojë si kandidat i pavarur. Për vendimin e tij ai e informoi edhe kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin përmes një letre dërguar kabinetit të tij. Tani partia opozitare VMRO-DPMNE mbetet me 50 deputet. E kontaktuam Sazdovskin, por në bisedë telefonike ai nuk deshi ta komentojë vendimin e tij, duke premtuar se nga e hëna do të jetë i kapshëm për prononcim. Lideri i partisë GROM Stevço Jakimovski nuk deshi ta komentojë gjatë veprimin e Sazdovskit, por deklaroi se deputetët kanë të drejtë madje edhe kur gabojnë.
“Deputetët kanë të drejtë, madje edhe ku gabojnë. Ai është njeri i rritur, është 65 vjeç dhe unë shpresoj se ka marrë vendim të drejtë”, tha Stevço Jakimovski, kryetar i GROM.
Megjithatë, sot nuk u prononcuan nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE. Në anën tjetër, lideri i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev e përshëndeti vendimin e Çedomir Sazdovskit duke shtuar se në të ardhmen është e mundshme që shembullin e tij ta ndjekin edhe deputetë të tjerë të opozitës.
“Unë i përshëndes vendimet e këtilla dhe e ofroj dorën e bashkëpunimit. Gjithsesi, edhe deputetit Çedomir Sazdvoskit, ndërsa besoj se do të ketë edhe deputetë të tjerë si ai, sepse konsideroj që këto procese janë të natyrshme. Ata nuk mund t’i rezistojnë presionit të nacionalizmit, atmosferës së pakëndshme apo arsyetimeve të tjera të oponentëve tanë politikë”, u shpreh Zoran Zaev, lider i LSDM.
Edhe pse motivet për daljen e Sazdovskit nga GROM-i dhe koalicioni i VMRO-DPMNE-së nuk janë shumë të qarta, megjithatë në opinion qarkullojnë informacione se kjo ka ndodhur për shkak të humbjes në Karposh por edhe në komunat e tjera të vendit. Se a do ta ndjekin shembullin e tij edhe deputetë të tjerë, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen, gjegjësisht pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, është e sigurt se Kuvendin do ta lëshojë Petre Shilegov i cili u bë kryetar i Qytetit të Shkupit, Stefan Bogoev i cili fitoi në Karposh, Sasho Pockov i cili do të jetë kryetari i ri i komunës së Gjevgjelisë dhe Maksim Dimitrievski, i cili fitoi në Kumanovë.
Ndërmjet deputetëve që do të garojnë në raundin e dytë janë Betiane Kitev, Bllagoj Boçvarski dhe Kurto Dudush nga LSDM dhe Johan Tarçullovski nga VMRO-DPMNE. Dorëheqje nga funksioni i deputetit para zgjedhjeve dhanë Bardhyl Dauti nga PDSH dhe Bilall Kasami nga BESA, të cilët gjithashtu u kandiduan për kryetarë komunalë.