“Grupi i zjarrit” nuk do të formojë parti të re. Kështu është shprehur Saranda Imeri, sekretare për barazi gjinore në BDI, e cila tha se pjesëtarët e këtij grupacioni nuk janë vetëlarguar nga partia dhe se ky term është i shpikur nga rivalët politikë. Ajo tha se do të vijojnë të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së.
“Ne do të vazhdojmë ende luftën tonë brenda partisë, me mjete demokratike. Deri sot nuk jam hasur në terminologji “vetëpërjashtim” apo “vetëlargim”, kjo është diçka e shpikur dhe mendoj se ata që e kanë deklaruar duhet seriozisht ti qasen kësaj. Ne nuk jemi vetëlarguar, ne do të vazhdojmë si fraksion”, tha Saranda Imeri.