Saranda Bogujevci ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Ilir Mirena, të cilin e akuzon për shpifje dhe tentativë për njollosje të viktimave të luftës. Në një reagim publik, ajo theksoi se është krenare që mbron hapur partinë që përfaqëson dhe nuk fshihet pas maskës së paanshmërisë, siç bën gazetari në fjalë.
Bogujevci rikujtoi se ekspozita “Bogujevci // Histori Vizuele” është rezultat i guximit dhe përballjes me krimet e Serbisë në Kosovë, dhe se që nga fillimi është planifikuar të shfaqet edhe në Beograd.
Ajo u shpreh e zhgënjyer që pas gjithë kontributit të familjes së saj për drejtësinë, ende detyrohet të japë sqarime përballë atyre që, sipas saj, dikur nuk ishin askund por sot kërkojnë vëmendje në media. Bogujevci paralajmëroi padi për shpifje ndaj gazetarit, duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë viktimat e luftës edhe në sallat e gjyqit.
Reagimi i plotë:
Një sqarim i domosdoshëm:
Nëse unë quhem servile sepse mbroj hapur një parti të cilës i përkas dhe ndaj së cilës kam bindje të qarta, atëherë çfarë duhet të themi për këtë “gazetar”, që të gjithë e dimë kujt i shërben, ndërsa përpiqet të paraqitet si i paanshëm?
Ekspozita “Bogujevci // Histori Vizuele” ka ardhur si rezultat i guximit dhe mundësisë që ne, si familje, kemi pasur për t’u ballafaquar me krimet e Serbisë në Kosovë — krime që i kemi përjetuar drejtpërdrejt. Nga Kosova në Serbi, Angli, Evropë e deri në Kanada, kemi arritur të ndryshojmë edhe ligje për ekstradimin e kriminelëve që kishin qenë të paprekshëm për më shumë se një shekull.
Ekspozita u hap fillimisht në Prishtinë, më pas në Tiranë, dhe përkundër shumë vështirësive, pati sukses të madh dhe interes të jashtëzakonshëm nga publiku.
Që nga dita e parë ka qenë e planifikuar që kjo ekspozitë të shfaqet edhe në Beograd — sepse për ne është e rëndësishme jo vetëm të dokumentojmë krimet e Serbisë në Kosovë, por edhe të dëshmojmë se të mbijetuarit nuk mund të heshtën, nuk mund të harrohen dhe nuk mund të nëpërkëmben lehtë.
Është zhgënjyese që pas kaq vitesh ndjehem e detyruar të jap sqarime për kontributin tonë. Ndërkohë që ne jemi përballur me kriminelë, kemi dëshmuar në gjykata ndërkombëtare dhe kemi kontribuar për drejtësinë, disa që dikur nuk ishin askund tani mundohen të bëhen “të rëndësishëm” në televizione dhe rrjete sociale.
Ky person që flet nuk ka asnjë njohuri për detajet e ekspozitës dhe as për kontributin tim personal. Ai vetëm shpik dhe përhap të pavërteta. Por, ashtu siç jam përballur me kriminelë në Serbi e në Hagë, për të mbrojtur viktimat e luftës, do të përballem edhe me të në gjykatat e Kosovës për shpifje dhe përpjekje për njollosje të viktimave.