Platforma e përbashkët e partive shqiptare nuk është bërë për t’u realizuar në kontekst real politik, por është bërë për të kryer dy qëllime, njëri është që BDI-ja të bashkëndajë përgjegjësinë për mosrealizimin e këtyre kërkesave për 15 vite sa është në pushtet, ndërsa qëllimi i dytë është që t’i ulet vlera LSDM-së me këto kërkesa që nuk mund të realizohen pa 82 votat në Parlament. Kështu tha Petrit Saraçini nga Civil Media, në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA.
“Faktikisht kjo strategji që në sytë e opinionit… VMRO-ja e cila ka një diskurs konzistent nacional dhe anti-shqiptar dhe LSDM-ja e cila në të kaluarën kishte një diskurs të tillë mirëpo e cila ka ndryshuar së paku diskursin, qasjen në politikë, shumë më konstruktive ndaj shqiptarëve, të duken sikur të njejtë. Dmth ja VMRO-ja nuk i pranon kërkesat e shqiptarëve por as LSDM-ja”, deklaroi Saraçini.
Sipas tij, mendimi i hartuesve të deklaratës, në këtë rast BDI-së, është që t’i kthejë votat e shqiptarëve që shkuan në adresë të LSDM-së për shkak të bashkëpunimit të ngushtë të BDI-së me VMRO-DPMNE-në. Ai shton se Ali Ahmeti nuk e kupton faturën që ia dhanë shqiptarët si rezultat i bashkëpunimit me armikun më të madh të shqiptarëve, Gruevskin.
“Fatura u dha prej votuesve shqiptarë për shkak të bashkëpunimit me armikun e shqiptarëve i cili e bëri Brodecin, e bëri Enciklopedinë, Monstrën, Kumanovë, i bëri të gjitha ato raste, e tash Ali Ahmeti në rolin e një pontpilati don t’i shpërlajë duart nga faji që ka bërë dhe do të thotë, ja tash ne të tre do të përpiqemi që të bëjmë një gjë e cila në realitetin politik nuk mund të zbatohet pa patur një konsensus edhe mes partive politike maqedonase”, tha Saraçini.
Ai shtoi më tej se Ali Ahmeti duke e ditur se kjo platformë nuk realizohet, ai bën propagandë politike. /SHENJA/

