Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian për shkelje të qëllimshme të armëpushimit të arritur të hënën mes dy vendeve, vetëm pak orë pas hyrjes së tij në fuqi. Marrëveshja kishte për synim t’i jepte fund përplasjeve të ashpra kufitare që kanë shkaktuar të paktën 33 viktima dhe kanë detyruar mijëra persona të braktisin banesat.
Sipas ushtrisë tajlandeze, forcat e saj ndaluan zjarrin pas mesnatës, por mëngjesin e së martës vazhduan të qëlloheshin nga ana kamboxhiane në disa pika përgjatë kufirit. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias mohoi incidentet, duke i thënë agjencisë AFP se nuk ka pasur përplasje të armatosura që nga mesnata.
Takimi i parashikuar mes komandantëve lokalë, pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, është shtyrë dy herë dhe rrezikon të mos realizohet, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes.
Tensionet mes dy vendeve u rikthyen në maj, pas vrasjes së një ushtari kamboxhian, ndërsa përplasjet u përshkallëzuan javën e kaluar kur pesë ushtarë tajlandezë u plagosën nga shpërthimi i një mine. Si reagim, Tajlanda mbylli disa pika kufitare, dëboi ambasadorin kamboxhian dhe tërhoqi ambasadorin e saj nga Phnom Penhi.
Pas një shkëmbimi zjarri të enjten, Kamboxhia goditi me raketa territorin tajlandez, duke vrarë disa civilë. Viktima të tjera u regjistruan në të dyja anët në ditët në vijim, ndërsa dhjetëra mijëra banorë u evakuuan.
Sulmet dhe shkëmbimet intensive të zjarrit mes ushtrive të dy vendeve vazhduan deri në mesnatën e së hënës, me Tajlandën që kreu edhe sulme ajrore ndaj pozicioneve kamboxhiane. Të martën në mëngjes, pak para akuzave nga Tajlanda, kryeministri kamboxhian Hun Manet deklaroi se “vijat e frontit janë qetësuar”.
Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, parashikon tërheqjen e trupave nga zonat e nxehta dhe vendosjen e një misioni monitorimi të pavarur për të shmangur përplasje të reja. Takimi mes Hun Manet dhe homologut tajlandez Phumtham Wechayachai u zhvillua në Malajzi, pas presionit të ushtruar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi ndërprerjen e negociatave për tarifat tregtare nëse palët nuk ndalonin luftimet.
Përplasjet e vazhdueshme mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë rrënjë në një mosmarrëveshje kufitare që daton më shumë se një shekull më parë, kur kufijtë u përcaktuan pas kolonizimit francez të Kamboxhias. Konflikti mori trajtë të hapur në vitin 2008, kur Kamboxhia kërkoi që një tempull i shekullit të 11-të në zonën e diskutueshme të njihej nga UNESCO si pasuri botërore, gjë që u kundërshtua ashpër nga Tajlanda.
Në vitet që pasuan, përplasjet e herë pas hershme shkaktuan dhjetëra viktima si në radhët e ushtarëve, ashtu edhe të civilëve.
Në dy muajt e fundit, përballja është shoqëruar me masa ndëshkuese ekonomike nga të dyja palët. Kamboxhia ndaloi importet e produkteve ushqimore dhe të energjisë nga Tajlanda, ndërsa të dy vendet kanë rritur ndjeshëm prezencën ushtarake përgjatë kufirit.
Armëpushimi, edhe pse i arritur, mbetet i brishtë dhe çdo incident i radhës rrezikon ta zhysë rajonin në një tjetër përshkallëzim të rrezikshëm ushtarak.