Ish futbollisti i Kombëtares shqiptare Lorik Cana u dekorua sot me “Urdhrin e Skënderbeut”. Medalja iu dha ish-kapitenit gjatë punimeve të Samitit të katërt të Diasporës, që çeli siparin sot në Tiranë në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Cana në fjalën e tij theksoi se me punën e tij dhe të tjerëve në Diasporë, është munduar gjithnjë të mbahet lart krenaria dhe nderi i shqiptarëve.
Cana: Gjithmonë kur jeni pranë një paneli me njerëzit tonë të mbledhur që kanë spikatur, pavarësisht se kemi luajtur në stadiume plot mbetet një diçka e veçantë. Më e veçantë kur ka të bëjë me një urdhër dhe mirënjohje duke pasur një vlerësim mbetet një krenari. Nuk e pranoj vetëm në emrin por në emrin e familjes sime, Agimit, gjyshërve, Ganiu ish delegat, xhaxhait tim. Duke shkuar deri te gjithë ky brum që na ka frymëzuar.
Rrugëtimi im shkon në kohërat që kemi emigruar në Ish Jugosllavinë. Jo vetëm jemi munduar të bëjmë mirë për familjarët tonë por të ngremë nderin dhe krenarinë e shqiptarëve. Duke pasur një mjeti si sporti dhe futbolli. Karrierën e kemi të shkurtër. Është një jetë e tërë që na pret. Jemi munduar që përmes këtij emri respektit ta ngremë komunitetit tonë dhe të japim shembullin.


