11 July
Rritje prej 6% e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një nga tezat e Samitit të Triestes që pritet të mbahet nesër. Darko Malinovski nga Instituti për Politikë Evropiane thekson se është fat i madh që rajoni është në fokus të BE-së, por se varet nga ne vet vendet e rajonit se sa do të përfitojnë nga kjo mundësi.
Priten projekte dhe rritje të financave, madje ka njoftime se do të ketë konkretisht edhe për Maqedoninë. Megjithatë duhet të jemi të sigurt se kjo varet shumë nga ne, se sa jemi të përgatitur për t’i shfrytëzuar këto fonde. Përndryshe, në kuadër të këtij samiti një nga tezat është se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë rritje prej 6% në ekonomitë e tyre nacionale, me çka diku rreth vitit 2030 do ta arrinin zhvillimin ekonomik të vendeve të Bashkimit Evropian – deklaroi Darko Malinovski, Instituti për Politikë Evropiane.
Sipas Malinovskit, me këtë samit BE-ja po distancohet nga deklarata e Presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker se deri në vitin 2019 BE-ja nuk do të zgjerohet, deklaratë kjo që u reflektua keq në vendet e rajonit. Ministri i Jashtëm i Italisë, Anxhelino Alfano theksoi se Samiti i Triestes kërkon nga liderët e Ballkanit Perëndimor fuqishëm të angazhohen për konsolidimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë moderne dhe konkurrente.
Është e nevojshme të tejkalohen ndarjet dhe akuzat e së kaluarës dhe të zgjidhet Evropa në mënyrë të pakthyeshme. Vetëm përmes dialogut dhe impulsit të fuqishëm për pajtim do të mund të shihet me optimizëm drejt së ardhmes. Më nuk ka kohë për hezitim, por është koha për zgjidhje. Miqve maqedonas iu është e njohur politika e mbështetjes së fuqishme dhe lojale që Italia konkretisht ia ka dhënë në aspiratat e tyre euro-atlantike – u shpreh Anxhelino Alfano, Ministër i Jashtëm i Italisë.
Në Samit pritet t’i jepet impuls tranzicionit demokratik, ekonomik dhe social të rajonit, me ç’rast do të themelohet Komuniteti i Transportit të Ballkanit Perëndimor dhe do të vendosen bazat e thellimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Në samit do të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor bashkë me ministrat e jashtëm, ministrat e ekonomisë dhe ato të transportit, liderët e 7 vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të institucioneve të BE-së. Nga kabineti i kryeministrit njoftuan se Kryeministri, Zoran Zaev në korniza të Samitit, përskaj takimeve me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe KE-së, do të realizojë edhe takime bilaterale me kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Serbisë, Ana Bërnabiq dhe të Sllovenisë, Miro Cerar. Zaev do të takojë edhe Ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Boris Xhonson.
Anesa Aliti