Sami Bajrami ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur Mesud Bajrami dhe listën qytetare “Për Shqiptarët e Kumanovës”, që garon në zgjedhjet vendore të 19 tetorit.
“Me bindje të plotë deklaroj mbështetjen time për kandidaturën e këshilltarit të pavarur në Kumanovë, Mesud Bajramit. Besoj se përfaqësimi i tij do të jetë zëri i qytetarëve dhe interesave të përbashkëta, larg interesave partiake. Është koha që vendimmarrja të kthehet tek qytetari”, u shpreh Sami Bajrami në një deklaratë publike.
Ai shtoi më tej se ka ardhur koha që të ndalet përfitimi personal në kurriz të qytetarëve dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mbështesin alternativën e pavarur, përfshirë edhe ata që, sipas tij, kanë përjetuar padrejtësi.
“Mjaft interesave personale në kurriz të tjerëve për të përfituar. Shihemi më 19 tetor – populli nuk harron dhe di të dënojë! Presim mbështetjen e çdo qytetari, edhe atyre që ju është bërë padrejtësi.
Me respekt, Sami Bajrami”, përfundon deklarata.