Ndaj sulmeve dhe tentativave të pushtetit qendror për të gjetur ndonjë parregullsi në mënyrë që ti vihet dryri shtëpisë botuese Logos-A, si hakmarrje se gjoja kjo shtëpi gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare kanë financuar një parti të re politike, në mbrojtje të Logosit, kanë reaguar shumë opinionistë shqiptarë. Njëri ndër to është edhe profesori universitar, Salajdin Salihu.
“Në kohën kur institucionet europiane përpilojnë politika kulturore për ta ndihmuar librin, duke mundësuar lehtësime të shumta tatimore, mundësi më të madhe qarkullimi etj., këtu ndodh e kundërta. Institucionet shtetërore në vend se të ndihmonin shtëpitë botuese ose të paktën mos t’i pengonin në misionin e tyre human, po bëjnë sulme të ulëta për qëllime politikash ditore. Për çdo njeri të librave janë lajme të trishta sulmet dhe presionet ndaj shtëpisë botuese “Logos a”, njëra nga më prestigjiozet në hapësirën shqiptare, që përherë ka treguar respekt të madh për autorin. Fatkeqësisht kjo praktikë e ka ndjekur dhe po e ndjek në vazhdimësi librin shqip. Sulmet e këtilla tregojnë shkallën e “lirisë” në vend”, kështu është shprehur në një deklaratë për portalin Almakos, Salajdin Salihu.