Rami Mislimi
Dikur i duheshin 61 deputetë për ta rrëzuar një qeveri, sot ai i ka 81. Ky është realiteti politik i Maqedonisë së sotme. Hristijan Mickovski është politikani i vetëm që ka pushtet absolut, mbi maqedonasit poashtu edhe mbi shqiptarët. Nga sot e tutje, ai nuk është thjesht kryeministër ai është njeriu që vendos gjithçka.
Nëse do, do të ketë zgjedhje, nëse nuk do, nuk do të ketë. Nëse do, do të ketë ndryshime kushtetuese, nëse nuk do, nuk do të ketë. Nëse do, do të ecim drejt BE-së, nëse nuk do, do të mbetemi të izoluar.
Në historinë e Maqedonisë, asnjë kryeministër nuk ka pasur kaq fuqi mbi maqedonasit dhe shqiptarët. As Gruevski në kulmin e pushtetit, as Cërvenkovski, as Zaev e as Lupçja. Të gjithë ata kishin një kufi. Edhe Gruevski bashkë me Miajllkovin shumë herë e lusnin Ali Ahmetin, madje Gruevski rrinte në dritare duke pritur fjalën e Ali Ahmetit. Sot ky realitet ka vdekur.
Sot shqiptarët politikisht nuk peshojnë asgjë. Janë shndërruar në dekor, në lypës pushteti, në shërbëtorë të një njeriu të vetëm. Jo për shkak të fuqisë së tij, por për shkak të mjerimit të partive shqiptare, pa dinjitet, që zvarriten pas tij duke kërkuar pjesë nga një kolaç qeveritar.
Votimi i “Safe City”-t me 81 vota ishte vula finale. “Safe City” nuk dëshmoi vetëm kalimin e një ligji, por varrosjen e peshës politike shqiptare. Që nga ai moment, çdo kërcënim, çdo kusht dhe çdo deklaratë e liderëve shqiptarë vlen ZERO, sepse sot e tutje Mickovski i ka 81 vota.
Ata që votuan ligjin janë të lidhur duar e këmbë që nuk mund të kundërshtojnë. Ndërsa ata që nuk votuan sikur kishin marrëveshje të heshtur. Të dy taboret politike shqiptare duket sikur po i nënshtrohen fuqisë së tij. Njëra palë për të qenë pjesë e kolaçit duke heshtur, e tjetra duke bërë përpjekje të hyjë në kolaç përmes marrëveshjeve!
Nga dje, partitë politike shqiptare nuk janë faktor. Tani varet vetëm nga Mickovski se cilin do ta mbajë në të ardhmen.
E ardhmja e kryeministrit më të fuqishëm në historinë e Maqedonisë ndodhet mes dy rrugëve. Ose t’i zgjedhë pesë liderët e ndarë për t’i bashkuar dhe të vazhdojë me kriza ekonomike, poltike, sociale ose të ndryshojë mënyrën e bashkëpunimit me partitë politike shqiptare.
Kurdo që të mbahen zgjedhjet, kryeministri nuk duhet të bëjë gabime me shqiptarët dhe të zgjedhë ata që humbin, por të zgjedh ata që fitojnë në mënyrë që vendi të mos hyjë në kriza të ndryshme duke u munduar të bëjë pajtime mes liderëve, por të ketë marrëveshje me ata që fitojnë për të çuar vendin drejt zhvillimit ekonomik.
Edhe pse kryeministri i ka 81 vota dhe pushtetin më të madh që ka pasur ndonjëherë një qeveri, Maqedonia po fundoset në krizë ekonomike. Gabimet e marrëveshjeve me pesë liderë shqiptarë u bënë dhe janë të dukshme. E ardhmja e vendit ka nevojë për stabilitet politik të vërtetë për tu përballuar me krizat ekonomike dhe politike dhe për ta rikthyer seriozisht rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Rrugë tjetër NUK KA, sepse ai në cilën do formë mbetet kryeministri më i fuqishëm!


