Formula e re e financimit për arsimin e ulët dhe të mesëm që mori miratimin në seancën e fundit të Qeverisë, është prezantuar zyrtarisht të mërkurën. Metoda e shpërndarjes së bllok-dotacioneve do të bëhet sipas formulës së re që do të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm, ku fondet do të përfitohen sipas nevojave reale dhe numrit të nxënësve. Qeveria ka miratuar dy formula për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm. Qëllimi është të sigurohen fonde të mjaftueshme për mësimdhënie cilësore, mirëmbajtje të vazhdueshme, zhvillim profesional dhe transport të nxënësve, në vend që shumica e bllok-dotacioneve të shpenzohen ekskluzivisht për paga. Modeli i propozuar parashikon fleksibilitet më të madh, shpërndarje të drejtë të burimeve dhe mbështetje për përmirësimin e rezultateve arsimore.
Kjo u theksuan në konferencën e përbashkët të mërkurën nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues të zyrës së UNICEF, Bankës Botërore, Ambasadës së Zvicrës që kanë mbështetur projektin. Ministrja Vesna Janevska ka sqaruar se formula ka dy komponentë – bazë dhe variabël. Baza do të mbulojë koston standarde për nxënës dhe përfshin pagat dhe kontributet e punonjësve, zhvillimin e tyre profesional dhe shpenzimet e përgjithshme të shkollës. Shkollat më të zhvilluara do të marrin një shumë më të vogël, ndërsa shkollat më pak të zhvilluara, në përputhje me normën e përcaktuar për ambientet dhe pajisjet, do të marrin një shumë më të madhe, me qëllim përshpejtimin e zhvillimit të tyre. Ndërsa komponenti variabël përbëhet nga kostot e transportit të nxënësve, mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore e të tjera.
“Ndryshimi ishte i nevojshëm pasi formula aktuale nuk siguronte financim efikas. Rreth 90 për qind e bllok datacioneve komunat i shpenzojnë për rroga, që është shumë më e lartë sesa ajo në BE(70 për qind). Ka raste kur bllok dotacionet rriten, por jo për nevojat e shkollës dhe përmirësimin e mësimit, por për të mbuluar rrogat. Kjo metodë do të sigurojë financim efikas dhe të qëndrueshëm. Sinqerisht pres ndryshime sa i takon cilësisë së mësimdhënies… “, ka thënë ministrja.
Duke përshëndetur miratimin e metodologjisë së re për llogaritjen e bllok-dotacioneve përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, tha se kjo reformë përfaqëson një ndryshim strategjik drejt ndërtimit të një sistemi arsimor më efikas dhe gjithëpërfshirës. Kurt Ëittrich, drejtues i projektit “Arsim për Punësim” të financuar nga Ambasada Zvicerane u shpreh se rritja e fondeve për arsimin dhe trajnimin profesional me formulën e re të financimit, si dhe rritja e vazhdueshme e interesit të kompanive për t’u përfshirë në procesin arsimor, janë parakushte të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional.
“Vetëm përmes bashkëpunimit midis institucioneve dhe sektorit privat mund të krijojmë arsim profesional që do t’u ofrojë të rinjve mundësi më të mira punësimi”, tha Wittrich. Për zbatimin e metodologjisë së re, do të pasojnë trajnime për administratat komunale dhe punonjësit e shkollave, dhe është parashikuar edhe një periudhë përshtatjeje për shkollat. Me formulat e reja për llogaritjen e fondeve për komunat, shteti i është përgjigjur njërit prej angazhimeve në Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, duke hapur fonde të reja dhe duke rritur mbështetjen e BE-së për arsim cilësor.(koha.mk)