Ish shefi i Avokaturës Shtetërore, Femi Stafa që u arrestua mbi dyshimet për ndikim të paligjshëm në favor të interesit material, gjatë viteve e kanë karakterizuar disa veprime që krijojnë bazë për ndeshje me ligjin. Stafa sa ishte Avokat i Shtetit i zgjedhur në atë pozitë në vitin 2018 më mbështetjen e partisë Alternativa, kishte ngritur disa herë pluhur kundër ish prokurorëve special Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski. Akuzat dhe sulmet e tij kishin ardhur mu në kohën kur Prokuroria e krimit të organizuar kishte hapur lëndë kundër Stafës për veprimet e tij në kundërshtim me ligjin në rastin e konfiskimit të pasurisë së biznesmenit Sead Koçan për lëndën “Transmet”.
Dyshimet e krimit të organizuar ishin se Stafa ka bërë shkelje për interesa personale. Për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë, ai kishte paraqitur disa padi penale, përfshi edhe ish shefen e krimit të organizuar, Villma Ruskovska për tejkalim të kompetencave dhe përshpejtim në raport me procedurën penale. Pas largimit nga Avokatura Shtetërore, Stafa u bë pjesë e Komisionit për Falje te presidenti. Edhe gjatë këtij mandati dyshohet se kishte vepruar disa herë në kundërshtim me ligjin, duke dhënë sekrete nga procedurat e të burgosurve dhe jo zyrtarisht, dyshime për negociata me të burgosur që t’i fuste në listën e të falurve për interes lukrativ.
Jo më pak vëmendje ka pasur edhe qasja e tij në raport me procesin gjyqësor mes Televizionit Alsat dhe Ministrisë së Financave. Stafa në cilësinë e Avokatit të Shtetit edhe pse nuk kishte asnjë argument, duke ia hedh fajin përmbaruesit të Financave nuk hiqte dorë nga procedura për konfiskimin e një pjesë të hapësirave të televizionit me arsyetimin se dëmtohet interesi shtetëror. Këtë qasje e kishte pavarësisht se gjykata kishte paralajmëruar vendosjen e masës së përkohshme dhe mbylljen e procesit pa dëm për dyja palët, përkatësisht në favor të Televizionit Alsat. Ndonëse gjykata kishte vendos masën e përkohshme, në ditën kur ajo u shfuqizua, Stafa nuk kishte harruar ta aktualizonte të njëjtën. Aso kohe Stafa kishte lidhur aleanca e forta me të arratisurin Artan Grubi në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë. Kërkonte në këmbim rikthimin e tij në pozitën e Avokatit të Shtetit.
Paraprakisht, para se të shitej nga gjykatësi “i besuar”, Stafa ishte ftuar disa herë në polici për identifikim të rrejshëm. Mësohet se policia kishte nisur një hetim ndaj tij mbi dyshimet se në disa raste, përmes biznes kartave të rrejshme është paraqitur si këshilltar special i kryeministrit Mickoski. Burime policore kishin bërë të ditur se i ishin gjetur edhe biznes kartat e shtypura, madje një sasi e madhe e tyre.
Veprimet e Stafës ishin vendosur nën llupën organeve hetuese edhe në rastin me djalin e deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski. Stafa mësohet se në disa raste kishte ndërhyrë për ndryshimin e masave të kujdesit ndaj Asmir Jahoskit, por as policia dhe as organi i akuzës nuk kishin arritur ta vërtetonin një gjë të tillë.
Në vitin 2022 mori nëj dhuratë të cmuar, një shtëpi me vlrë gjysmë milioni euro, respektivisht një i afërm i biznesmenit Sead Koçan ia dhuroi shtëpinë djalit të Femi Stafës. Si i tillë nuk kishte menduar vetëm për vete. Vëllain e kishte rehatuar në Agjencinë e Zbulimit, ndërsa e punësuara më vonë për t’u bërë bashkëshortja Besmira Ejupi kishte marrë honorare të bujshme nga Avokatura e Shtetit. Më pas tentoi të njëjtën ta dërgon në koluaret diplomatike, por nuk ia arriti.
Me rënien e BDI-së, Stafa ktheu gëzofin nga pushteti. Pavarësisht se ishte lëpirë nëpër dyer të ndryshme, nuk gjeti mbështetjen për tu kthyer në pozitën e Avokatit të Shtetit. Mblodhi forcat për të hapur zyrën e tij të avokaturës. Pas një kohe të shkurtër, Stafa arriti ta rikthen vetën në lojë, përkatësisht të kthehet në krahët e Alternativës. Por për shkak se Qeveria tashmë kishte caktuar Avokatin e Shtetit, Stafa kërkoi të jetë Avokat i Popullit. Aplikoi, por nuk u kualifikua! I bindur se i ishte mbyllur edhe kjo derë, Stafa kërkoi zgjidhje tjetër. Konkurroi për anëtarë të Këshillit Gjyqësor. Madje në ditën kur diskutohej emri i tij në Kuvend, ai mësohet të ketë qenë për vizitë në vendin e shenjtë Mekë duke u lutur që Zoti t’ia falte mëkatet!
Alsat


