Forcat ruse kanë bombarduar sot një qendër tregtare dhe tregun e qytetit Dobropillja, në rajonin e Donetskut në lindje të Ukrainës, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe 26 të plagosur, sipas një bilanci paraprak të autoriteteve vendase.
“Rusët kanë goditur sërish një zonë ku ndodheshin shumë civilë – një qendër tregtare në zemër të qytetit Dobropillja“, shkroi në platformën Telegram guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin. “Kësaj here përdorën një bombë me peshë 500 kilogramë”, shtoi ai.
Sipas tij, bombardimi ndodhi rreth orës 21:00, dhe si pasojë e shpërthimit u dëmtuan 54 dyqane, 304 apartamente në 13 pallate dhe 8 automjete private.
Në fjalimin e tij të përditshëm me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si “terrorizëm rus të tmerrshëm dhe absurd” dhe theksoi: “Goditjet e tyre nuk kanë asnjë logjikë ushtarake, thjesht përpiqen të shkaktojnë sa më shumë viktima”.
Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë zonën e goditur, pranë qendrës tregtare, ku ka shpërthyer edhe zjarr pas sulmit.
Qyteti Dobropillja ndodhet në veriperëndim të Pokrovskut, një objektiv me rëndësi strategjike për trupat pushtuese ruse, të cilat po përparojnë drejt perëndimit.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, Dobropillja kishte qenë objektiv i sulmeve intensive me raketa dhe dronë, ku humbën jetën 11 persona, përfshirë pesë fëmijë.