Rusia është duke bërë përpjekje që ta rrisë ndikimin e vet në kontinentin e Afrikës dhe të fitojë miliarda dollarë përmes shitjes së energjisë bërthamore në shtetet në zhvillim. Analistët thonë se kjo politikë është e papërshtatshme dhe se shtresa e varfër e popullsisë ka pak gjasa që të përfitojë nga këto investime.
Përfaqësuesit e korporatës shtetërore ruse “Rosatom”, e cila është përgjegjëse për përdorimin civil dhe ushtarak të energjisë bërthamore, u janë afruar liderëve të dhjetëra vendeve afrikane në dy vjetët e kaluar.
Kjo kompani, që po e ndërton një reaktor bërthamor për 29 miliardë dollarë në Egjipt, ka arritur marrëveshje edhe me Ugandën, Ruandën, Ganën, Afrikën Jugore dhe disa shtete të tjera.
Edhe Nigeria ka marrëveshje me “Rosatom”-in për ndërtimin e një reaktori bërthamor. Marrëveshje më pak ambicioze të bashkëpunimit janë nënshkruar edhe me Sudanin, Etiopinë dhe Kongon. Rusia ka hapur zyra për promovimin e energjisë bërthamore edhe në Zambi.
Fituesit e një gare të organizuar në Afrikë u shpërblyen nga kompania me një udhëtim edukativ në Rusi, në të cilin përfshiheshin vizitat në një qendër bërthamore dhe në qytetin e Obninskut.
Një ofertë tipike për shtetin që interesohet për energji bërthamore përfshin huat dhe kontratat për furnizim afatgjatë. Rusia ia ka mundësuar Egjiptit që ta paguajë vetëm 15 për qind të shumës për ndërtimin e reaktorit bërthamor, ndërsa pjesën tjetër e ka marrë hua, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.



