Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov iu përgjigj sfidues thirrjeve të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres për zgjatjen e marrëveshjes me Moskën, e cila lejon Kievin të eksportojë drithëra përmes porteve të Detit të Zi gjatë pushtimit rus.
Ujdia 120-ditore, e ndërmjetësuar fillimisht nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e vitit të kaluar dhe e zgjatur në nëntor, do të rinovohet në 18 mars nëse asnjëra palë nuk kundërshton. Por Moska pretendon se sidomos pjesa e marrëveshjes që lidhet me të drejtën e eksportimit të fertilizuesve rusë pa kufizimet e sanksioneve perëndimore, nuk po përmbushet, e kjo sipas saj, është e pandershme.
“Klauzolat e marrëveshjes që lejon eksportin e grurit dhe fertilizuesve rusë, nuk po respektohen. Nëse pakti përmbushet vetëm përgjysmë, atëherë zgjatja e tij kthehet në një çështje mjaft të komplikuar”, tha Lavrov.