Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në Ukrainë si pasojë e sulmeve ajrore ruse gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, sipas autoriteteve lokale.
Mes objektivave të goditur ishin një burg dhe një spital, me viktima të shumta në disa rajone të vendit.
Sulmi më vdekjeprurës ndodhi në institucionin penal të Bilenke-s, në rajonin jugor të Zaporizhzhia-s, ku u vranë 16 të burgosur dhe u plagosën më shumë se 50 të tjerë, raporton BBC.
Në një tjetër sulm në Kharkiv, në verilindje të vendit, pesë persona u vranë teksa prisnin ndihma humanitare.
Po ashtu, tre persona u vranë në rajonin qendror të Dnipropetrovsk, përfshirë një grua shtatzënë, ndërsa u raportua edhe një viktimë tjetër në zonën përreth.
Në një deklaratë të bërë të martën, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi një afat deri më 8 gusht për Rusinë që të arrijë një marrëveshje për armëpushim, përndryshe do të përballet me sanksione të ashpra, përfshirë tarifa të reja tregtare dhe izolim të mëtejshëm diplomatik.