Rusët sulmojnë centralin bërthamor më të madh në Evropë – Zelensky, evropianëve: “Zgjohuni, ju lutem!”
Centrali bërthamor i Zaporizhzhia në Ukrainë është goditur dhe aty ka zjarr, sipas Dmytro Orlov, kryebashkiaku i qytetit të afërt të Enerhodar.
“Kërcënim për sigurinë botërore!!! Si pasojë e granatimeve të pamëshirshme nga armiku i ndërtesave dhe blloqeve të centralit bërthamor më të madh në Evropë, centrali bërthamor i Zaporizhzhisë është në flakë!!!”, ka shkruar Orlov në Facebook, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Ndaloni menjëherë bombardimin e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhya”, ka thënë më tej kryebashkiaku.
Dhe pas kësaj, presidenti i Ukrainës ka kërkuar “veprim të menjëhershëm” nga bota mes sulmeve ruse në centralin më të madh bërthamor të Evropës.
Centrali më i madh bërthamor në Evropë është në zjarr tani”, ka thënë Volodymyr Zelensky në një video të postuar në Twitter, përcjell Telegrafi.
Ai akuzoi rusët se qëllimisht qëlluan në gjashtë reaktorët e uzinës Zaporizhzhia duke përdorur tanke të pajisur me imazhe termike.
Duke kujtuar “katastrofën globale” në Çernobil në vitin 1986, ai paralajmëroi se pasojat e një “shkrirjeje” në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të këqija.
“Evropianë, zgjohuni ju lutem. Thuajuni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, u lut ai.
Zelensky tha se ai kishte qenë në kontakt me liderët nga SHBA, Britania e Madhe, BE, Gjermania dhe Polonia, si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, por u bëri thirrje qytetarëve të zakonshëm që të ngrenë alarmin edhe me politikanët e tyre.
“Propaganda ruse ka paralajmëruar në të kaluarën se do të mbulonte botën me hirin bërthamor. Tani ky nuk është vetëm një paralajmërim, por është (një kërcënim) real”.