Ashpërsohet sulmi rus në lindje të Ukrainës. Kryediplomati rus Sergei Lavrov njoftoi nisjen e fazës së dytë të sulmit, për marrjen e kontrollit të plotë në rajonet e Luhanskut e Donetskut. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka goditur një numër rekord prej 1260 objektivash brenda pak orëve në këto dy rajone e deri në Kharkiv, Mikolaiv.
Rusët i vunë një tjetër ultimatum për t’u dorëzuar deri mesditën e kësaj të marte ushtarëve ukrainas të rrethuar në uzinën metalurgjike Azovstal në Mariupol, para se të nisin rrafshimin e saj. Por Kievi thotë se aty strehohen jo më pak se 1 mijë civilë. Jetesa për banorët e paktë të mbetur në Mariupolin e rrafshuar nga luftimet është shndërruar në makth. Mungon energjia elektrike, uji, ushqimet e shërbimi shëndetësor.
“Duhet urgjentisht të rregullojnë furnizimin me ujë. Si mund të jetohet pa ujë. Është e tmerrshme”, tha një zonjë.
“Ajo që na tremb më shumë është se çdo të bëhet me këtë qytet. Dikur ishte për t’u adhuruar. Tani është shkatërruar. Unë jam në pension dhe s’di çdo bëhet me pensionin tim. Ujin e transportojmë nga larg sepse nuk kemi as ujë as energji elektrike. Nuk kam fuqi ta ngre ujin nga larg”, u shpreh një zonjë tjetër.
Sakaq, Uashingtoni njoftoi se brenda pak ditësh, do të nisë trajnimin e ushtrisë ukrainase për përdorimin e topave Houitzer me rreze të gjatë veprimi, që pritet t’ua vështirësojnë rusëve fushatën e goditjes me artileri, armët e tyre kryesore në sulmin ndaj Ukrainë. Ndërsa mediat britanike thonë se Londra do t’i pajisë shumë shpejt ukrainasit me raketahedhës të blinduar Stormer.