Shumë shpejt pas kësaj u vërejtën edhe tanket e para ruse dhe automjetet e blinduara afër kryeqytetit së Ukrainës. Sipas mediave të atjeshme, por edhe Ministrisë së Mbrojtjes, forcat ukrainase po zhvillojnë beteja të ashpra në periferi të Kievit, duke tentuar ta pengojnë hyrjen e forcave ruse në kryeqytet. Janë goditur edhe objekte civile, kurse raportohet edhe për viktima, por numri i tyre tash për tash nuk dihet. Armata e Ukrainës kumtoi se forcat e armatosura ishin përfshirë në luftimet që u zhvilluan në provincën e Kievit, gjegjësisht në Dijmer dhe Ivankiv, ku kanë përparuar shumë automjete të blinduara ruse.
Në kumtesën që është publikuar në profilin në “Tuiter” të forcave të armatosura të Ukrainës, thuhet se “vazhdojnë të tregojnë rezistencë” ndaj forcave ruse në pjesën veriperëndimore të kryeqytetit. Pastaj shtohet se ushtarët e kanë shkatërruar urën në kufirin e lumit Teteriv për ta pamundësuar afrimin e forcave ruse. Ushtarët ende mbajnë nën kontroll disa aeroporte në periferi të qytetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë ukrainasve mbi 18 vjeç, që të kyçen në procesin e mbrojtjes së vendit të tyre, të qëndrojnë dhe të hedhin kokteje molotovi në drejtim të tankeve ruse dhe automjeteve të blinduara. Presidenti ukrainas thotë se ushtria e tyre po lufton me shumë guxim, duke shtuar se në luftën për mbrojtje të vendit të tyre kanë mbetur vetëm.
“Ne vetë e mbrojmë vendin tonë, njëjtë si dje. Forcat më të fuqishme në botë shohin nga larg. A e bindën Rusinë sanksionet e djeshme? Dëgjojmë mbi qiellin tonë dhe dëgjojmë në vendin tonë se kjo nuk mjafton“, tha Vollodomir Zelenski, president i Ukrainës.
Rusia pohon se forcat e tyre po avancojnë…
“Operacioni special ushtarak vazhdon. Kontingjentet ushtarake të republikave popullore të Luganskut dhe Donjeckut vazhdojnë me kundërsulm ndaj njësive të forcave të armatosura ukrainase me mbështetje zjarri të forcave të armatosura të Federatës Ruse. Grupi i Republikës Popullore të Donjeckut përparoi edhe për një kilometër në mbrojtje të batalionit nacionalist në drejtim të Volnovahas, duke e tejkaluar rezistencën e armikut. Grupi ushtarak i Republikës Popullore të Luganskut, në rajonin e Stepës, përparoi deri në 9 km“, pohoi Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë
E derisa paralajmërohen sanksione kundër Rusisë, në Moskë mbrëmë vonë u organizuan protesta.
-Jo luftës, jo luftës…
Vijuan edhe arrestime nga policia ruse….
Nga të gjitha anët mbërrijnë mesazhe që të ndalojë agresioni dhe lufta, por edhe mbështetje për Ukrainën. Mbrëmë vonë godina e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut u mbulua me ngjyrat e flamurit ukrainas. Njësoi veproi edhe Kosova me godinën e Qeverisë. Mbështetje për Ukrainën vjen nga pothuajse të gjitha vendet evropiane, por tani për tani përkrahja e tyre është vetëm verbale.