Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të presë sot në takim ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).
Takimi do të zhvillohet në DASH në orën 17:15, sipas kohës lokale në Kosovë, teksa nuk dihen se cilat do të jenë temat e diskutimit, shkruan REL.
Në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe zyrtari i lartë i Byrosë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në DASH, Brendan Hanrahan dhe nënsekretarja Allison Hooker.
Hanrahan gjatë korrikut kishte vizituar disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.
Gjatë qëndrimit në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kishte deklaruar se temë e diskutimit me zyrtarin amerikan ishte nevoja për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.
“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, kishte deklaruar Vuçiç pas takimit me zyrtarin amerikan me të cilin tha se kishte diskutuar edhe për situatën në Ballkan.