Hajdutët në qytetin e Elbasanit, duket se po përdorin të gjitha mënyrat për të realizuar ‘planin’ e tyre, ndërsa tanimë nuk po kursejnë asgjë nga shtëpitë ‘target’.
Së fundmi, në këtë qytet dhe rrethinat e tij, është vënë re se hajdutët po vjedhin çdo gjë që vlen, madje edhe dritaret e duraluminit të shtëpive që ‘u vënë syrin’
Në kuadër të një operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia e Elbasanit ka bërë të mundur arrestimin e dy të rinjve, përkatësisht 23 dhe 28 vjeç, të cilët akuzohet se të paktën dy herë kanë çmontuar me qëllim vjedhjen e dritareve në dy shtëpi të ndryshme të zonës.
Rasti i parë i konstatuar është regjistruar në zonën e Bradasheshit, ku hajdutët kanë vjedhur grilat e dritareve prej alumini, ndërsa goditja e dytë ka qenë në fshatin Xibrakë, ku kanë marrë dritaret duke i çmontuar.
Menjëherë sapo janë identifikuar dhe ndaluar nga Policia, atyre iu janë gjetur në banesë edhe mjetet e nevojshme për kryerjen e këtyre grabitjeve. Ndërkohë, mësohet se materialet e vjedhura, hajdutët i çonin në treg për shitje, duke marrë shkas edhe nga rritja e ndjeshme e vlerës së tyre.



