26 Shkurt
Mjerimi nuk do mëshirë, por vetëm drejtësi. Ky varg i Migjenit sikur tingëllon fuqishëm rrugëve të Shkupit, të cilët janë të mbushur me njerëz që shtrijnë dorën për pak bukë. Tragjike janë pamjet, sidomos kur rrugëve të Çarshisë sheh fytyra të njoma, të mitur që për arsye të ndryshme janë detyruar që të bredhin rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Por sado që mëshirbërës të jenë, pronarët e dyqaneve në Çarshi kërkojnë që kjo pamje të ndryshojë, ky imazh që Çarshisë i jep hijen e një hapësirë kur mbretëron varfëria e jo esnafllëku.
“Duhet të marrin masa, ne ju themi largohuni ata nuk largohen. Është shumë keq, një fotografi e keqe për çarshinë. Fqinjëve të cilët kanë gjellëtore iu pengon shumë kjo gjë, sepse kur shkojnë klientët i përzënë, nuk i lejnë rehat”.
“Nuk na i lejnë klientët rehat, duhet të rrimë gjithë ditën jashtë që mos t’i lejmë të hynë Brenda. Na pengon, ulen klientët dhe ngrihen përsëri sepse nuk janë rehat”.
“Problem është se ata janë edhe të dhunshëm, jo vetëm këtu tek unë, por në restorante nuk i lejojnë njerëzit që të ushqehen në qetësi. Duhet që inspekcioni të reagojnë , sepse fëmijët në vend se të shkojnë në shkolla, ato lypin”.
“Kjo është një problematikë e madhe që duhet të zgjidhet ose dikush i Çarshisë, ose komuna e Çairit sepse ato janë çdo pesë minuta dhe gjithë ditën, duhet të gjendet një zgjidhje për këtë gjendje”.
“kërkojmë që ato të largohen, në gjithë Çarshinë që janë të largohen, sepse janë shumë sa vijnë e bëhen më shumë në numër dita ditës. Jemi në minus prej tyre, në minus, është shumë keq, duhet të merren masa nga ana e komunës”.
Pavarësisht se kjo dukuri alarmante paraqitet në territorin e komunës së Çairit, nga ky institucion shfajësohen duke thënë se një gjë e tillë nuk është në kompetencë të tyre.
Strategjia e zgjidhjes së këtij problemi nuk është nën kompetencën e Komunës së Çairit. Mekanizmat përkatës për përmirësimin e kësaj situate alarmante e definon Ministria për Punë dhe Politikë Sociale –thanë nga Komuna e Çairit.
Pavarësisht tentimeve të shumta nga Alsat, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ishte e kapshme për të dhënë informata se sa ata kanë nën përkujdesje këtë kategori të qytetarëve. Ministria e Brendshme njoftoi se policët sanksionojnë lypsarët në rrugë. Ndërkaq Ambasada e fëmijëve “Megjashi” thotë se dalja e fëmijëve në rrugë për të mbledhur para paraqet shkeljen e Konventës për të drejtat e fëmijëve.
Në konventën për të drejtat e fëmijëve thuhet se fëmijët duhet të jenë të mbrojtur nga cilado lloj pune apo keqpërdorim i mundit të tyre. Në rastin konkret për të cilën po flasim, është keqpërdorim i rëndë i mundit të fëmijëve. Republika e Maqedonisë e ka të nënshkruar edhe protokollin fakultativ, edhe konventën për të drejtat e fëmijëve – tha Jana Zengovska, Ambasada e Fëmijëve.
Neni 24 i ligjit për shkelje të rendit dhe qetësisë publike thotë se “ Personi i cili do kapet duke kërkuar lëmoshë, do të gjobitet nga 15 deri në 50 euro”.
Vjollca Aliti
Powered by WPeMatico

