Qeveria e re vetëm se ka filluar me përgaditjen e studimit fizibiliti të rrugës Shkup – Bllacë dhe se kjo rrugë nuk do të jepet me koncesion apo të ndërtohet si magjistrale, por duhet të jetë autostradë, e cila do të ndërtohet me para buxhetore, ka thënë zëvendës kryeministri Hazbi Lika.
“Nga viti 2019 mund të fillohet me ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, edhe atë me mjete buxhetore në vlerë prej 100 milion euro. Të shpresojmë që sa më shpejt ta kemi gati dokumentacionin e plotë, për të cilin po punohet intesivisht dhe më në fund, ky aks rrugor të fillojë realizimin në vitin 2019. Mendoj se arsyeja e mos ndërtimit të këtij aksi rrugor, nuk ka qenë mos interesimi i investorëve të huaj për ta ndërtuar sipas modelit të partneritetit privat – publik, por kemi të bëjmë me prapavijë të caktuar, që ky aks rrugor të mos ndërtohet”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hazbi Lika.
Për këtë aks rrugor kanë reaguar edhe partitë shqiptare në vend, por edhe ish ministri për integrime Evropinae Fatmir Besimi, i cili thotë se rruga Shkup – Bllacë, ka qenë e parashikur edhe më herët në programin e Qeverisë, ku edhe ishte planifikuar që të ndërtohet duke huazuar kredi nga Banka Botërore, por ajo nuk është realizuar. Ai shprehet se nëse nuk do të realizohet edhe këtë vit e sheh të arsyeshme që buxheti të mos përkrahet nga ministrat shqiptar.
“Rruga Shkup-Bllacë në vazhdimës ka qenë në Program të Qeverisë. Fillimisht ka qenë me koncesion e pastaj me kredi. Kemi projekt dhe kemi realizuar disa negociata me Bankën Botërore për kredi. Të njëjtin projekt e kemi vendosur edhe në Programin e Qeverisë aktuale. Dhe nëse me Buxhetin e vitit të ardhshëm Qeveria nuk është gjetur alternativë për ndërtimin e autostradës, si dhe rrugë tjera lokale dhe rajonale në vendbanimet shqiptare, atëherë buxheti nuk do ta ketë përkrahjen e ministrave shqiptarë të BDI-së”, thotë Fatmir Besimi, ish ministër për Integrime Evropiane.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se do të japin kontributin e tyre në bazë të kërkesave konkrete dhe mundësinë e shohin përmes zëvendëskryeministrit për Lidhje dhe Transport, që të punohet në përfshirjen e rrugëve magjistrale dhe rurale si dhe autostrada në pjesën Perëndimore të Maqedonisë.
“Pavarësisht paralajmërimeve të deritanishme, jemi të bindur se në formulimin final të Buxhetit, ne si Aleancë për Shqiptarët do të japim kontributin tonë më kërkesa konkrete, për një buxhet dhe ndarje cilësore, reciproke në harmoni edhe me kontributin e komunave shqiptare dhe shqiptarëve në grumbullimin e buxhetit të shtetit dhe si i tillë të ndahet në mënyrë efikase dhe të barabartë. Ekspertët tanë do jenë aktiv në këtë përpilim, me kërkesa konkrete. Zëvendësministri ynë për Lidhje dhe Transport, Remzi Mehmeti, do të paraqes kërkesa konkrete në emër të subjektit tonë për përfshirjen e autostradave, rrugëve magjistrale dhe rurale edhe në pjesët e Maqedonisë Perëndimore, si dhe përfshirjen e projekteve dhe akseve rrugore, duke i shfrytëzuar edhe ndihmat e projekteve të BE-së për t’i vënë në shërbim të kërkesave të qytetarëve, të cilët duhet të kenë trajtim të barabartë nga Buxheti i Maqedonisë”, thotë Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.
Lëvizja Besa, ka reaguar se edhe pse buxheti i sheh një shumë prej miliona eurosh, ata nuk shohin investime në pjesën të banuar me shqiptarë, ku edhe diskriminohet komuniteti shqiptar.
“Në këtë Propozim-Buxhet parashihen mjete kapitale në vlerë mbi 400 milionë euro, por nuk parashihet asnjë projekt kapital serioz për rajonet me banorë shqiptarë. Kjo nënkupton as më shumë e as më pak, por diskriminim rajonal, që është i kushtueshëm edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi, duke e eliminuar zhvillimin rajonal të drejtë, por edhe duke e afirmuar diskriminim etnik. Gjithashtu, Projekt-Buxheti, përveç disa uljeve të shpenzimeve, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga planifikimet buxhetore të viteve të kaluara, që i bie të themi se kanë ndryshuar figurat, por jo edhe matrica që i diskriminon shqiptarët. Shqiptarët edhe me këtë Buxhet vazhdojnë të jenë të diskriminuarit, si në ndarjet për investime kapitale, kulturore, arsimore, por edhe për zhvillim rajonal. Prandaj, Lëvizja BESA nuk do të do të votojë për këtë ndarje buxhetore për vitin 2018”, thotë Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes “Besa”.
Përndryshe, kanë kaluar dhjetë vjet që patën nisë procedurat e tenderimit të rrugës Shkup – Bllacë.
Almakos.com