Kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik të Dibrës një domethënie të madhe ka edhe përfundimi i rrugës nga Dibra drejt Kërçovës. Odat ekonomike që veprojnë në Dibër, biznesi lokal por edhe komuna vlerësojnë se me përfundimin e kësaj rruge faktikisht hapen shtigjet e reja për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik të komunës Dibër. Lidhja e Dibrës me Kërçovën është një lidhje strategjike por të cilën ka përkrahje edhe nga Qeveria. Ndërtimi i kësaj rruge edhe sipas qeveritarëve pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm. Zyrtarisht për këtë rrugë kanë dhënë informata edhe përfaqësuesit e lart të Qeverisë. Rruga e Arbërit pritet që në vendin tonë të vazhdojë pikërisht nga kufiri drejt rrugës për në Kërçovë.
Rruga Dibër-Kërçovë respektivisht nga Ura e Gajres deri në fshatin Burim ka filluar të ndërtohet para shumë dekadave. Por, pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë punimet në këtë rrugë u ndërprenë. Tani kanë ngelur për tu ndërtuar 19 kilometra. Kryetari i Dibrës Hekuran Duka ka deklaruar se punimet në këtë aks rrugor kanë filluar dhe është një mundësi e madhe t’i jepet Dibrës që përveç lidhjeve të drejtpërdrejta që ka me Strugën dhe Mavrovën tani të ketë lidhje të drejt për drejta edhe me Kërçovën. Sipas tij efektet ekonomike për Dibrën do të ishin të mëdha. Kjo rrugë rajonale sipas institucioneve kompetente faktikisht mundëson lidhjen edhe të Kërçovës dhe qyteteve të tjera të vendit drejt Dibrës dhe kufirit me Shqipërinë. Kjo do të mundësojë një komunikim shumë më të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit planor jug perëndim për të udhëtuar drejt Dibrës dhe Shqipërisë.
Problemet që kanë dibranët me sigurinë në sferën e komunikacionit në akset rrugore Dibër-Mavrovë dhe Dibër-Strugë, meqë gjatë gjithë viteve këto dy akse rrugore kanë probleme shumë të mëdha me rrëshqitjen e gurëve dhe dheut, pritet të tejkalohen me lidhjen Dibër-Kërçovë. Terreni garanton një rrugë stabile pa rreziqe të cilat aktualisht janë prezent në lidhjet që ka Dibra me Mavrovën dhe Strugën ku për fat të keq nga rrëshqitjet e shkëmbinjve në rrugë shumë herë kanë patur dëmtime por edhe viktima. Në Gjykatën Themelore të Dibrës poashtu potencojnë se përfundimi i rrugës Dibër- Kërçovë është efektive edhe për shkak se shumë gjykime të dibranëve mbahen në gjykatën e Kërçovës e cila tani është caktuar si Gjykatë me kompetenca më të gjëra për lëndë gjyqësore edhe për komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. (koha.mk)