Nga Jakup Krasniqi
Demokracia në Kosovë e ka parahistorinë dhe historinë e saj. Parahistoria e saj në kuptimin e pluralizmit politik fillon në fillim të viteve të ’90, atëherë kur edhe federata jugosllave po shkëputej nga sistemi monist. Ndonëse nuk munguan përpjekjet ndërkombëtare për ta ruajtur atë federatë?! Kjo shkëputje nuk ishte aspak e lehtë, shkëputja u bë më dhimbje të mëdha për shumicën e popujve të asaj federate, atë fat e pat edhe Kosova dhe qytetarët e saj.
Periudha e viteve 1990/1999, ishin vitet më të renda të pas Luftës së Dytë Botërore, vite kur ne shqiptarët ishim të dëbuar nga jeta institucionale, publike, arsimore, shëndetësore, jetonim në një terr informativ, duke qenë të dëbuar jo vetëm nga e drejta për punë, por edhe e drejta për jetë të dinjitetshme e të drejta elementare për liritë njerëzore. Në rrethana të tilla, të një aparthejdi klasik, liderët politikë pretendonin të ndërtonin një lloj “demokracie”, ndonëse, çdo pore e jetës zhvillohej nën çizmen e rendë të policit, administratorit, tagrambledhësit e UDB-ve serb. Kjo përpjekje bëhej për dy arsyeje:
E para, pse kishte iluzione nga një grup i njerëzve se edhe në Kosovën e robëruar kishin shpresë e iluzione se të tjerët do ta detyronin Serbinë që të hiqte dorë nga dhuna dhe se liria do të na vinte si shpërblim për rezistencën paqësore?!
E dyta, ishte zgjedhur rruga paqësore (Gandiste, siç preferonin ta quanin disa), por kjo rrugë sipas Volgan Petriqit (Wolfgang Petritsch) e Robert Piqler (Robert Pichler), “nuk bazohej mbi vlera pacifiste, siç është pohuar shpeshherë në mënyrë të gabuar.” Po këta më poshtë do të thonë: “… me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), karakteri i qëndresës shqiptare ndryshoi menjëherë”[1]. Nga fundi i shekullit e sidomos pas Konferencës së Dejtonit, u pa e qartë se duhej ecur në rrugën e Kroacisë e të Bosnjës e Hercegovinës. Për atë rrugë u përcaktua Lëvizja Klandestine Kombëtare. Tani më nuk ka dyshim, ketë hop të domosdoshëm e bëri LPK-ja – themeluesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.
Nga kjo del se, krijimi i realitetit të ri nga UÇK-ja, jo vetëm që i hapi rrugë lirisë e pavarësisë së Kosovës, por edhe pluralizmit demokratik. Pra demokracia në Kosovë, mund të thuhet se nis rrugëtimin e saj të lirë vetëm pas çlirimit, në qershorin e vitit 1999. Duhet ta pranojmë, edhe “Demokracia” e këtyre viteve në Kosovë ishte demokraci tarake! Krejt halli i sotëm është si të shkëputemi nga kjo rrugë! A mund të ndryshohet kjo rrugë vetëm duke u rreshtuar pas emra individësh? Rrugët e tilla të çojnë kudo tjetër, vetëm jo në Demokracinë e pretenduar të vlerave perëndimore!
Nga atëherë deri më sot kanë kaluar gati 17 vjet të plota, është krijuar një ambient politik për zhvillim të pluralizmit politik demokratik, por shpesh të improvizuar e të papërfunduar. Ndodhi kështu se rreshtimi i njerëzve në parti politike asnjëherë nuk u bë mbi bazën e ideologjive politike e programeve politike e zhvillimore të partive politike, por, duke ndjekur emra njerëzish. Vrapimi pas emra njerëzish (është mentalitet goxha komunist), njësha apo dysha, të rinj apo të vjetër, nuk e zhvilloi demokracinë, përkundrazi e ngulfati atë, debatin demokratik, konkurrencën e ideve e të programeve ideologjike e zhvillimore. Një gjë dihet sheshazi, demokracia ka vështirësi ndërtimi e zhvillimi aty ku flitet me fotografi arkivash apo aty ku fotografitë bëhen lajm?!
Konsideroj se politikanët demokrat, intelektualët e qytetarët e Kosovës, gra e burra, vajza e djem duhet të shkëputën njëherë e mirë nga praktikat e deri tashme, të vrapimit symbyllazi pas njerëzve, të ri apo të vjetër qofshin, ata duhet të ecin pas partive ideologjike dhe programeve të tyre politike e zhvillimore. Vetëm atëherë kur do të kemi parti politike ideologjike, me programe ekonomike e zhvillimore, me programe për ndërtimin e shtetit të së drejtës, që garantojnë ndërprerjen e qeverisjes së keqe, ndërprerjen e sundimit të të “fortëve” dhe hapin perspektivën e zhvillimit e të progresit shoqëror, mund të besojmë se kemi zgjedhur rrugën e duhur të Demokracisë.
Vetëm atëherë kur qytetarët tanë, të rinj e të vjetër bashkohen e votojnë për partitë ideologjike që u besojnë, programeve ekonomike që ato u ofrojnë, mund të themi se në Republikën e Kosovës po fillon epoka e sistemit demokratik pluralist dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Ndërtimin e shtetit të dijes e të zhvillimit, i shtetit që hapë perspektivë për qytetarët e jo për sundimtarët despotë, siç është bërë deri më tani. Është obligimi ynë si politikanë, intelektualë a qytetarë, gra e burra, djem e vajza që të ndërtojmë shtetin demokratik të së drejtës. Ketë duhet ta bëjmë në nderim të atyre që na e dhanë ketë mundësi edhe duke u flijuar, ndërsa e kemi obligim, për të sotmen e të ardhmen e kombit e të atdheut!
[1] . Wolfgang Petritsch& Robert Pichler: Rruga e gjatë e luftës – Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare 1989-1999, Koha, Prishtinë 2002, faqe65.