https://www.facebook.com/Almakos1/videos/2160198564020984/
Kjo është rruga që shpie për tek banjat e Tetovës.
Etapat e punimeve për rregullimin e kësaj rruge të financuar nga Komuna e Tetovës, Agjencioni për zhvillim rural dhe Banka Botërore, janë realizuar prapshtë. Këtë e tregojnë më së miri pamjet që shihni, por edhe vet qytetarët. Këta të fundit, këtë destinacion e kanë mundësinë e vetme për të ikur nga zhurma dhe ndotja e qytetit. Ata thonë se rrëshqitjet e dheut përgjatë gjithë rrugës, rrezikojnë jetët e tyre.
Rruga është asfaltuar, trotuari është shtruar me pllaka bekaton, mirëpo realizuesit e punimeve nuk kanë vendosur mur mbrojtës apo rrjetë për të parandaluar rrëshqitjet e dheut. Madje muri mbrojtës nuk është ndërtuar përgjatë tërë rrugës as nga ana e lumit Shkumbin.
Rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar njërën korsi të rrugës duke detyruar veturat të kalojnë në korsinë e kundërt, gjë që mund të shkaktojë fatkeqësi në komunikacion. Trotuari vende-vende është shkatërruar për shkak të rrëshqitjes së dheut, shtyllat për ndriçim janë vendosur, por pa poçe elektrike.
Qytetarët që kalojnë nëpër këtë rrugë qoft për të soditur natyrën, qoftë për të mbushur ujë mineral nga burimi, thonë se gurët që bien nga kodra mund të përplasën në veturat e kalimtarëve të rastit. Madje përveç gurëve, kishte edhe shtyllë që ishte shkulur nga vendi dhe kishte mbetur e varur në një litar vetëm disa metra mbi rrugë, por edhe drunj të cilët ishin gati për të rënë në rrugë.
“ Kjo s’është bërë hiç mirë. Kjo duhet të sigurohet. Shiko gjysmën e rrugës e ka zënë. Kur do kalojë, kur do kalojnë veturat, ndonjërën mund ta rrezikojë. S’është mirë, ama çfarë të bëjmë?! Zoti na ruajt!”- tha një banor i Tetovës.
“ Më gëzon fakti që kanë marrë një iniciativë të tillë të rregullojnë rrugën, sepse në nuk kemi ku tjetër të dalim nëpër qytet. Qyteti ynë është aq I ndotur, I mbushur me lloj-lloj veturash. E vetmja rrugëdalje është kjo rruga e Banjës, mirëpo shohim këtu një mangësi, sepse nuk është paraparë të mbrohet rruga. Kur ka vërrshimë, krejt gurët bien në rrugë, rrezikohen qytetarët, nxënësit, veturat, të gjithë kaluesit”- tha Nebije Huseini, nga qyteti i Tetovës.
“ Në qoftë se kanë ndërgjegje, kjo vret në ndërgjen e atyre që kanë marrë përsipër për ta kryer këtë punë dhe organeve kompetente që ua kanë dhënë ta kryjnë këtë punë dhe nuk kanë kontrrolluar realizimin e punimeve. Gjendja momentale e rrugës është rrezik i përditshëm i jetës së qytetarëve, në rradhë të parë rrezikon të vetmen mundësi që kanë qytetarët e Tetovës të dalin nga qyteti dhe të marrin frymë lirshëm”- tha Hadi Ramizi nga qyteti I Tetovës.
“Fillimisht duhej rregulluar pjesa e kodres dhe mandej të bëhej rruga. Këto çdo gjë që e bëjnë e bëjnë gabim, mendoj unë. Kjo rrezikon shumë, jo pak, se uën kaloj çdo ditë këtu. Kjo veç këtu ndodh, nuk ndodh askund tjetër”-tha Fejzi Lumi, nga qyteti i Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës, që është edhe bashkëfinancuese në këtë projekt, thonë se nëse me mjetet që kishin në dispozicion do të bënin murin mbrojtës, nuk do të ngeleshin para për asgjë tjetër as për rrugë, trotuar apo ndriçim. Ata thonë se me fondet kanë pasur në dispozicion është vendosur që të bëhet rruga, trotuaret, ndriçimi dhe për në fund është lënë çështja e murit mbrojtës. Ndërsa sa i takon ndriçimit, nga komuna thonë se vendosja e poçave elektrik është në rrjedhë e sipër.
“Në një pjesë të rrugës ne kemi investuar vetë si komunë në mure mbajtëse. Megjithatë nga matjet sizmiologjike, janë verifikuar pjesët më problematike të zonave kritike që paraqiten kohë pas kohe në këtë aks rrugor, dhe nga ato të dhëna, ne kemi hartuar projekt si Komunë, të cilin e kemi dërguar në Qeveri për miratim. Pas miratimit të projektit, do të shpallet procedura për furnizim publik, dhe pas mbarimit të afatit ligjor, do të fillojë edhe realizimi i punëve në terren “- thonë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkohë nga Agjencioni për mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që gjithashtu janë gjithashtu financues të këtij projekti, thonë se përgjegjëse për mënyrën se si është realizuar projekti është Komuna e Tetovës.
“Ju njoftojmë se Agjencioni për Mbështetje Financiare të Bujqësisë dhe zhvillim rural nuk është kompetente për të mirëmbajtjen e rrugës në lokalitetin “Banjat e Tetovës” – Tetovë”- thona nga ky Agjencion.
Vizitën në këtë destinacion e bëmë sot për të parë se si kishte ndryshuar gjendja me punimet rreth një vit pas realizimit të reportazhit të parë. Përveç gjendjes që përshkruam më sipër, para një viti përmendem kontenierin e famshëm që ishte i mbushur dhe i rrethuar me mbturina gjatë tërë kohës. Tani ka një ndryshim, mbeturinat kanë mbetur aty, por mungon konteineri. Ndrësa është për t’u përshëndetur puna e bërë me çezmën anash rrugës, ku freskohen kalimtarët.
Përgatiti: Evi Shkopi – Almakos
Montimi
Kameraman: Dejan Nedelkovski – Almakos
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/2160198564020984/