Sipas profesorit Vullnet Palloshi, qeveria duhet të vazhdojë me lidhje infrastrukturore të Maqedonisë me fqinjët e saj, por ajo duhet të ketë akse prioritare rrugore. Palloshi thotë derisa Shqipëria e ndërton me shpejtësi autostradën “Rruga e Arbrit” nga ana jonë nuk ka nevojë të bëhet autostradë.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov thotë se kjo pjesë nga pala maqedonase nuk do të jetë autostradë, sepse kjo rrugë në bazë të analizave ekonomikisht është e pa-levërdishme, sepse gjatë ditës kalojnë më pak se pesë mijë automjete.
Por nga Ndërmarrja Publike thonë se ky aks rrugor rehabilitohet.
“Aktualisht rehabilitohet rruga ekzistuese nga Dibra deri në pikën kufitare Bllato. Në shtator e nënshkruam kontratën, kontraktori është përzgjedhur për rehabilitimin e kësaj rruge”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e konfirmojnë informacionin dhe shtojnë se faza e parë e rehabilitimit ka mbaruar. Tani punohet në rindërtimin e rrugës nga Ura e Boshkut deri në Dibër, pas së cilës vijon faza e tretë, apo kalimi kufitar me Shqipërinë.
Aksin e ri rrugor “Rruga e Arbrit” në “Samitin 100” në Shkup, e njoftoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.