Kohëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të prekurve me grip dhe virusin sezonal, thotë për TVM2, mjekja Sefiane Bellcishta. Thekson se pacientët ankohen nga temperaturat e larta, kollitje, molisje dhe dhimbje të muskujve. Format më të rënda të gripit mund t’i kapë fëmijët nga 6 muaj dhe grupmoshat mbi 65 vjeç që janë me sëmundje kronike.
“Simptoma e parë është me temperaturë të lartë mbi 39 deri në 40 gradë, ajo zgjat vetëm një ditë dhe nëse zgjat temperatura mbi dy apo tre ditë d.m.th. u është bashkëngjitur edhe ndonjë baktere tjetër e këtij virusi, që është bërë komplikim tek ata pacientë. Kanë kollitje, teshtitje, dhimbje në muskujt, janë të lodhur, janë si të përgjumshëm, ata pacientë nuk kanë as koncentrim.”, – deklaroi mjekja, Sefiane Bellcishta.
Mjekët thonë që pacientët që në simptomat e para të paraqiten tek mjeku amë për t’u dhënë terapinë e duhur që të prevenojnë komplikimet e ndryshme nga gripi dhe virusi sezonal.
“Komplikimet më të shpeshta janë në organet e poshtme të frymëmarrjes, që mund të marrin një pneumoni, e cila mund të jetë edhe fatale te disa persona, qoftë tek fëmijët, qoftë tek të rriturit, si dhe organet e sipërme të frymëmarrjes mund të kenë ndezje të sinuseve, qoftë frontal apo maksilar, si dhe otidet ndezjet e veshit, te ata persona që tek dikush mund të shkojë të prekë sistemin nervor, mund edhe dëgjimi të humbë tek ata persona.”, – theksoi mjekja, Sefiane Bellcishta.
Mjekja Bellcishta thekson se si masë parandaluese kundër gripit është vaksina për kategoritë e rrezikuara sociale. Ushqimi i pasur me vitamina dhe minerale, pemët dhe perimet sezonale, supa e ngrohtë, çajërat bimorë, mbajtja e higjienës, si dhe shmangia prej personave që janë të infektuar me grip apo virus. Më 16 tetor në vend ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi prej të cilave pesë janë në Shkup. Këtë vit ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur “Abot” nga Holanda./MTV2


