Nga janari deri në korrik të vitit 2025, eksporti i përgjithshëm i produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Bashkimi Evropian ka arritur në 139,4 miliardë euro, që paraqet rritje prej 2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar — kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve.
Në korrik të këtij viti, eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore nga BE-ja ka arritur 20,7 miliardë euro, që është rritje prej 8 për qind në krahasim me muajin paraprak dhe pothuajse në të njëjtin nivel si në korrik të vitit 2024, sipas raportit më të fundit të Komisionit Evropian për tregtinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore.
Nga ana tjetër, importi i këtyre produkteve në BE në korrik 2025 ka arritur 16,1 miliardë euro, që paraqet rritje prej 5 për qind në baza mujore dhe 10 për qind në baza vjetore. Gjatë periudhës janar–korrik 2025, importi total ka arritur 113 miliardë euro, një rritje prej 15 për qind krahasuar me 2024, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të disa mallrave të importuara, si kakaoja dhe kafeja.
Kështu, BE-ja në korrik 2025 ka regjistruar një tepricë tregtare në produktet bujqësore dhe ushqimore prej 4,6 miliardë euro, që është 19 për qind më e lartë se në qershor, por pak më e ulët krahasuar me korrikun e vitit 2024.
Në përgjithësi, teprica tregtare e BE-së për shtatë muajt e parë të vitit 2025 ka arritur në 26,5 miliardë euro, që është 12,2 miliardë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Partneri kryesor tregtar për produktet bujqësore dhe ushqimore të BE-së mbetet Mbretëria e Bashkuar, e cila përbën 23 për qind të totalit të eksportit evropian në shtatë muajt e parë të 2025. Eksportet drejt tregut britanik janë rritur me 5 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të çokollatës dhe produkteve të qumështit.
Sipas grupeve të produkteve, rritja më e madhe e vlerës së eksportit (34 për qind) është regjistruar tek grupi kafe, çaj, kakao dhe erëza, e ndjekur nga produktet e ëmbëlsirave dhe çokollata me 19 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të çokollatës me 29 për qind. Po ashtu, si rezultat i çmimeve më të larta, produktet e qumështit kanë shënuar rritje të vlerës së eksportit prej 6 për qind, edhe pse sasia e eksportuar ka qenë 2 për qind më e ulët.
Në të kundërt, vlera e eksportit të drithërave është ulur me 20 për qind, kryesisht si pasojë e rënie së sasisë së eksportuar të grurit dhe misrit me 23 për qind. Ndërsa për ullinjtë dhe vajin e ullirit, edhe pse volumi i eksportit është rritur me 19 për qind, vlera ka rënë me 15 për qind për shkak të uljes së çmimeve me 29 për qind.
Sa i përket vlerës së importit, BE-ja ka shënuar rritjen më të madhe me Kanadanë (93 për qind), për shkak të rritjes së importit të rapit, misrit dhe grurit, si dhe me Bregun e Fildishtë (59 për qind), si rezultat i rritjes së çmimeve të kakaos dhe kafesë. Rënien më të madhe të importit (70 për qind) BE-ja e ka regjistruar me Rusinë.
Rritja e përgjithshme e vlerës së importit në BE gjatë periudhës janar–korrik 2025 lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve të disa produkteve në bazë vjetore. Konkretisht, çmimet e kakaos pothuajse janë dyfishuar, çmimi i kafesë është rritur me 58 për qind, i produkteve të ëmbëlsirave dhe çokollatës me 33 për qind, i shpendëve dhe vezëve me 28 për qind, ndërsa i frutave dhe arrave me 11 për qind.
 
		


