Rritja me 2.2% e çmimeve të shërbimeve nga kompania “ONE” ka hapur debat, pasi sipas avokatit Ervin Ymeraj, mënyra e aplikimit dhe komunikimit të kësaj mase mund të jetë problematike për konsumatorët.
Ai thekson se, edhe pse kompania mund të parashikojë në kontratë të drejtën për ndryshim të njëanshëm të çmimeve, kjo nuk përjashton detyrimin për transparencë dhe informim të plotë ndaj klientëve. Sipas tij, abonentët duhet të jenë të qartë që në fillim për ndikimin që mund të kenë ndryshimet në faturat e tyre, gjë që, sipas Ymerajt, nuk është reflektuar në njoftimin e fundit.
Avokati vë në dukje se mënyra e komunikimit nga kompania nuk garanton informim të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm, duke lënë hapësira për paqartësi mbi të drejtën e abonentëve për të kundërshtuar ndryshimin. Në këto kushte, ai argumenton se rritja mund të konsiderohet e njëanshme dhe potencialisht abuzive.
Sipas tij, çdo abonent ka të drejtë të reagojë dhe të kundërshtojë, pasi mosveprimi mund të interpretohet si pranim i kushteve të reja. Ymeraj shton se edhe klauzola që lejon rritjen e çmimeve, nëse është e paqartë apo e padrejtë, mund të cenojë interesat e konsumatorëve.
Ai bën thirrje për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse, si AKEP dhe strukturat për mbrojtjen e konsumatorit, për të garantuar transparencë dhe mbrojtje më të madhe për qytetarët.
Ndërkohë, avokati kujton se nga 1 maji abonentët kanë të drejtë të refuzojnë ndryshimet ose të kërkojnë ndërprerjen e kontratës, duke marrë parasysh edhe pasojat që mund të sjellë një vendim i tillë.
Avokati Ervin Ymeraj: Kompania ONE në kontratë ia njeh vetes të drejtën për të rritur çmimin në mënyrë të njëanshme dhe automatike, por klienti ka disa të drejta që nuk mund t’i prekë kontrata. Klauzolat e kontratës duhet të jenë të qarta dhe të kuptueshme. Klienti duhet të jetë i mirëinformuar që në fillim dhe të dijë që çdo ndryshim çmimi do ta prekë direkt. Në njoftimin e dërguar kjo nuk është sqaruar. Abonentët duhet të marrin informacion në formë private, por nuk është shpjeguar në njoftimin e ONE nëse ata kanë mundësi ta kundërshtojnë.
Mënyra se si kompania ka komunikuar ndryshimin e çmimit nuk respekton të drejtën për informim të qartë dhe të drejtpërdrejtë për abonentët. Kjo e bën rritjen abuzive dhe nuk mund të konsiderohet ndryshim i kushteve kontraktuale pa vullnet të përbashkët. Informacioni që jep kompania është i paqartë dhe voluminoz. Çdo abonent mund të bëjë kundërshtim dhe kompania duhet ta ketë parasysh. Nëse konsumatori nuk ndërhyn dhe nuk kundërshton, kjo konsiderohet pranim, dhe rritja mund të vazhdojë.
Format e njoftimit nga ONE nuk janë të përshtatshme dhe nuk respektojnë të drejtën për transparencë dhe mundësinë për kundërshtim. Nëse klauzola për rritje të çmimit ishte në kontratë, ajo është e padrejtë dhe krijon pasoja për abonentët. Kjo është një kosto për çdo qytetar. Shteti duhet të ndërhyjë, duke filluar nga AKEP-i, Komisioneri për Mbrojtjen e Konsumatorit, por edhe shoqëria civile, që konsumatori të jetë sa më i mbrojtur.
Nga 1 maji, abonentët kanë të drejtë të kërkojnë mospranim të ndryshimeve dhe mund të bëjnë kërkesë për ndërprerje të kontratës, por duhet të kenë parasysh pasojat që kjo mund të sjellë.


