Ekonomia botërore hyri në vitin 2022 me inflacion të lartë, borxhe të larta të sektorit privat dhe publik, si dhe ndërprerje të zinxhirit furnizues në të gjithë botën. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndajë fatin e ekonomisë botërore, e veçanërisht atë të Evropës. Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është e vogël, e hapur dhe e varur nga importi. Secila prej ndërprerjeve globale, si në tregjet e energjisë dhe ushqimit, ashtu edhe në anën e kërkesës efektive globale për produktet dhe shërbimet tona, ndikon në ekonominë e vendit. Komisioni Evropian pret që inflacioni i lartë në eurozonë të vazhdojë. Sipas parashikimit ekonomik të paraqitur nga autoritetet në Bruksel, çmimet në eurozonë pritet të rriten mesatarisht me 4.8 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, pasi ata ishin rritur me shifër rekord prej 4.6 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2021. Për shkak rritjes së çmimeve të energjisë, efekteve të variantit Omikron të virusit korona dhe ulja e dërgesave, Komisioni Evropian pret një lehtësim të ndjeshëm të presionit ndaj çmimeve për konsumatorët dhe kompanitë pak para fundit të vitit 2022.
Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, u shpreh se nuk pret që inflacioni të zvogëlohet në një të ardhme të afërt, sepse për ta ulur inflacionin – vendet duhet të marrin masa që nuk janë të pëlqyera nga qytetarët dhe janë masa jo-populiste. Prandaj, siç tha ai, ulja e çmimeve do të merr kohë për të mos shkaktuar goditje të mëdha në rritjen ekonomike dhe në standardin e qytetarëve.
“Vendi ynë, de fakto nuk ka politikën e saj monetare, sepse kursi i denarit është i lidhur fort me euron, kështu që shkaqet dhe pasojat e inflacionit nuk ndryshojnë shumë nga eurozona. Për vendin tonë – në këtë moment më e rëndësishme është presioni për rritjen e pagave, i cili jo vetëm do të vonojë luftën kundër inflacionit, por edhe do të ushtrojë një presion të madh mbi buxhetin. Fatkeqësisht, buxheti ynë nuk ka shumë alternativa, sepse një pjesë e madhe e tij shkon për asistencat sociale. Për shembull, shtesat në Fondin Pensional për pagesën e pensioneve janë të barabarta me pagat që i jepen administratës shtetërore, që do të thotë se Maqedonia mbështet administratën e dyfishtë”, thotë ai. Dimitrov nënvizoi se inflacioni ka disa efekte negative në ekonomi, veçanërisht në investimet e ardhshme dhe në stabilitetin e kushteve të biznesit.
“Bota u gjend në një situatë shumë të komplikuar kur problemet që solli pandemia me virusin korona u pasuan nga problemet e me krizën energjetike. Ndërkohë që qytetarët të cilët nuk shkonin në punë – kursenin para, por kur situata u përmirësua dhe masat u lehtësuan, qytetarët nxituan në dyqane dhe të bëjnë harxhime, por prodhimi ende vuante nga efektet e pandemisë dhe nuk mund të siguronte furnizimin e duhur. Kjo është arsyeja e parë e inflacionit”, deklaroi Dimitrov. Ndërkohë, arsyeja e dytë, siç tha ai, është rritja e kostove të energjisë, e cila është nxitur nga dëshira për energji të gjelbër, dekarbonizimi dhe prodhimi i pamjaftueshëm i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, ndaj kompanitë është dashur t’i zhvendosin këto kosto të rritura te klientët dhe të rrisin çmimet.
Sipas profesorit në Universitetin e Evropës Juglindore, Abdulmenaf Bexheti, problemi me inflacionin është shumë serioz dhe duhet punuar seriozisht, sepse rritja e çmimeve deri më tani është problematike. “Sipas indeksit të çmimeve me pakicë, inflacioni tashmë arrin rreth pesë për qind. Është një sinjal serioz që këtu duhet të shkojmë me shumë kujdes, të hartojmë politika të mira ekonomike, sepse godet drejtpërdrejt në shportën e konsumatorit”, thotë për mediat Bexheti.
Komisari Ekonomik Evropian, Paolo Gentiloni, ka thënë se presionet e çmimeve ka të ngjarë të mbeten të larta deri në verë, pas së cilës inflacioni do të bjerë. Megjithatë, ai paralajmëroi se pasiguria dhe rreziqet mbeten të larta. Prandaj, Komisioni për 19 shtetet anëtare të Eurozonës për vitin 2022 pret një normë mesatare prej 3.5 për qind, që është gati një pikë përqindje më e lartë se vitin e kaluar. Ndërkohë, në të 27 vendet anëtare të BE-së, çmimet do të duhej të rriten mesatarisht me 3.9 për qind në vit. (koha.mk)