Gjendja me pandeminë Covid 19 ka lënë në prag të varfërisë qindra familje në vend dhe si pasojë ka shtuar nevojën për të ashtuquajturat kuzhina popullore. Viteve të fundit numri i tyre ishte ulur por një e tillë u hap në periudhën e krizës në Komunën e Shuto Orizares.
– Advertisements –

Filluam me punë në dhjetor të vitit 2020 të shtyrë nga nevoja e krijuar nga pandemia e cila ndikoi që shumë familje të varfërohen, të mos kenë mjete bazë për ushqim. Në fillim kemi shpërndarë produkte ushqimore mirëpo e kuptuam se më e dobishme do të jetë nëse ato produkte i shndërrojmë në ushqim real, një vakt të nxehtë. Sinqerisht, këto njerëz dëshirojmë t’i shohim të punësuar, të fortë ekonomikisht dhe të pavarur. Megjithatë, pandemia e bëri të veten, shumë njerëz erdhën në pragun e varfërisë, madje edhe ata të nivelit mesatar”- deklaroi Fatima Osmanovska, kryetare e këshillit të komunës sw Shuto Orizares.
Familjet e rrezikuara, për çdo ditë marrin nga 3 bukë dhe gjellë të gatshme. Ata që takuam në radhë për ushqim thanë se kjo është mënyra e vetme dhe e sigurt për të mos mbetur të uritur.
“Ne jemi të varfër, duhet të na japin. Faleminderit atyre që japin për ne. Ne jemi të varfër, nuk kemi punë, mar vetëm socialen”.
“Varemi nga kjo kuzhinë. Jam me katër fëmijë, burrin e kam në burg. Unë kam vetëm ndihmën sociale, nuk kam prej ku, jemi shumë të kënaqur nga kuzhina. Nuk jam e punësuar”.
Ushqimet që u ndahen nevojtarëve janë të ndryshme. Të gjitha shoqërohen me mish dhe përmbajtje tjera të nevojshme për shëndetin e njeriut.
“S’kam ndihmë prej askujt. Sa herë në ditë u japin? Nji herë në ditë. Çfarë u japin? Fasule, oriz, makarona, lakër edhe 3 bukë”.
“Jemi të kënaqur. Mjafton që na japin bukë”.
Për momentin, ushqimi për familjet në nevojë përgatitet në kuzhinën e çerdhes “8 prilli”. Siç thonë nga komuna, shpenzimet për një muaj të kësaj kuzhine arrijnë rreth 10 mijë euro. Përveç qeverisjes lokale, ushqimi për këto familje shpesh herë sigurohet edhe nga kompani të ndryshme biznesi dhe donator privat.
Melihate Rustemi