Çmimet e derivateve në vend janë rritur përsëri. Edhe pse Hristijan Mickoski kishte paralajmëruar ulje të çmimeve, në vend të kësaj qytetarët po përballen me një rritje të re prej 7 denarë për litër. Një tjetër mashtrim i Mickoskit që godet drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve.
Këto janë masat e koalicionit të tenderëve VMRO/ZNAM. Qytetarët po trajtohen si të paditur. Në vend të uljes prej 2.5 denarësh – rritje prej 7 denarësh. Kjo është rritja e dytë serioze, ndërsa qeveria nuk ndërmerr asnjë masë për mbrojtjen e standardit jetësor, thuhet në reagimin e LSDM-së. Ata theksojnë se rritja e çmimeve të benzinës do të shkaktojë një valë të re shtrenjtimi të ushqimeve, produkteve bazë, madje edhe të energjisë elektrike, dhe edhe nëse çmimet e karburanteve stabilizohen, çmimet në markete do të mbeten të larta.
Sipas tyre, vetëm për një javë qytetarët kanë paguar 3 milionë euro më shumë, ndërsa me rritjen e re kjo shumë do të arrijë në 4.5 milionë euro në javë, që përbën goditje direkte për buxhetet familjare dhe ekonominë. LSDM akuzon se ndërkohë që vendet e rajonit ndërmarrin hapa konkretë për të ndihmuar qytetarët, qeveria hesht dhe kujdeset vetëm për interesat e veta të biznesit dhe tenderët.
Partia opozitare ka përgatitur një paketë zgjidhjesh ligjore që do t’i dorëzojë në Kuvend, duke përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%, uljen e akcizës për 4 denarë, TVSH 0% për produktet bazë ushqimore dhe përgjysmimin e çmimeve të taksave rrugore, duke kërkuar nga qeveria që të reagojë menjëherë dhe t’i pranojë këto masa.


