A e keni vërejtur ndonjëherë mënyrën se si ecni? Si është pozicioni juaj kur qëndroni në këmbë? A thua qëndroni në mënyrën e duhur në vendin tuaj të punës apo kur ngisni makinën? Mundet që të keni vërejtur pozicionin e drejtë ose me shpatulla të kërrusura të tjerëve kur flisni me ta ose iu kalojnë pranë. Mund të keni vërejtur edhe sesi dikush ecën duke vendosur majën e gishtave të këmbës në fillim, që mban kokën ulur kur iu flet apo i mban duart të kryqëzuara mbi gjoks. Sa herë që njohim dikë, gjestet e tij, mënyra e shikimit por edhe pozicioni i trupit të tij kur është duke ecur ose në këmbë, na krijon një përshtypje. E njëjta gjë ndodh edhe me personin tjetër kundrejt nesh.
Trupi ynë është një radiografi e mendjes sonë dhe ka një ndikim shumë të madh tek të tjerët padyshim, por sipas studimeve të fundit ka akoma më shumë ndikim mbi mirëqenien tonë personale fizike dhe psikologjike. Nëpërmjet ndërgjegjësimit për pozicionin e trupit mund të vërejmë edhe tensionin që kemi mbledhur, madje të shohim nëse jemi të mërzitur apo kemi frikë apo ankth, gjendje të cilat mund të jemi duke i transmetuar tek të tjerët pa i vënë re vetë.
Mundet që të jemi edukuar si të rritur të ndajmë mendjen nga trupi megjithëse kjo bie ndesh me rrjedhën normale të evolucionit. Në fëmijërinë e hershme stimulohet lëvizja e duarve, kapja e objekteve të vogla dhe lojërave dhe e gjithë kjo bëhet për zhvilluar trurin, imagjinatën dhe të menduarit. Studimet e reja në fushat e psikologjisë dhe fizioterapisë kanë tregues interesantë mbi suksesin e mënyrave të menduarit dhe shprehurit në mënyrë komplekse, të trupit dhe mendjes së bashku.
Meqenëse disa nga metodat më efikase të rehabilitimit fizioterapeutik të personave me dëmtime cerebro-medulare bazohen në këto studime do të ishte absurde nëse nuk do të merreshin parasysh edhe në përmirësimin problemeve të vogla fizike. Por si mund të na ndihmojë ndërgjegjësimi për qëndrimin drejt? Rezultatet e para të një përmirësimi të performancës fizike nuk do të vonojnë të na inkurajojnë që të mbajmë pozicionin e ri. Ulja ose eliminimi i dhimbjeve të shpinës, mesit dhe këmbëve janë inkurajues të tjerë.
Psikologia sociale e Universitetit të Harvardit, Amy Cuddy, e shpreh në këtë mënyrë: “e dimë se mendja e ndryshon trupin por gjithashtu është e vërtetë se trupi e ndryshon mendjen; mendja ndryshon sjelljen dhe sjellja ndryshon rezultatet”. Kështu forma se si qëndrojmë ulur, se si ecim, se si qëndrojmë në këmbë mund të modifikojë gjendjen tonë shpirtërore. Për shembull a e dinit se, të qëndrosh drejt mund të bëjë të ndjeheni më të lumtur dhe të shtojë besimin tuaj? Ose shembulli tjetër është më popullor akoma: mbajtja e një lapsi me buzë, në këtë mënyrë vihen në punë të njëjtët muskuj që shkaktojnë një buzëqeshje të këndshme, mund të na krijojë ndjesi pozitive.
Të mbash një pozicion trupor korrekt është themelore për optimizimin e shëndetit, së pari sepse përmirëson frymëmarrjen dhe eliminohen dhimbjet e qafës e shpinës. Nga ana tjetër pozicioni i keq do të konsumojë disqet tuaja vertebrale, do të shkaktojë kontraktura te disa muskuj dhe atrofi te të tjerët. Disa udhëzime që mund të ndiqni për këtë janë: Drejtojeni trupin, veshët tuaj duhet të jenë mbi supe dhe shikimi lart.
Futeni barkun pak brenda, supeve jepuni pak prapa dhe nxirrni gjoksin përpara. Mjekra duhet të jetë paralele me dyshemenë dhe pak e ngritur. Mbajeni trupin të shtrirë dhe hapat mos i bëni të gjatë duke i filluar me mbështetjen e thembrës. Ideale do të ishte që një fizioterapist të ju tregojë dhe korrigjojë pozicionin e gabuar hap pas hapi. Por pozicioni që duhet mbajtur shkon përtej kontrollit të gjesteve dhe vendosjes së gjymtyrëve.
Duhet të konektojmë me trupin tonë dhe si fillim kjo do të ishte e mjaftueshme për t’u ndier më mirë. Vërejeni pozicionin tuaj herë pas here, në lidhje me punën, me telefonin tuaj “inteligjent” dhe ndjejini sinjalet e trupit tuaj. Ndërgjegjësimi për pozicionin tuaj mund të ju çojë në ndryshime të këndshme të prezencës suaj, të shprehjes së një sigurie më të lartë në vetvete, gjë që duhet edhe ju ta besoni e jo vetëm ta demostroni. Mund të jetë surprizë eleganca që do të shoqërojë edhe rrobat tuaja, sepse dihet, “bukuria është çështje skeleti”.
Kjo arrihet me këmbëngulje, siç thotë bukur Dra. Cuddy: përpiqu deri sa të ia dalësh (“fake it till you make it”). Me këmbëngulje dhe përsëritje pacientët tanë ngrihen nga karrigia me rrota, ose aktorët simulojnë deri në perfeksion gjestet dhe pozicionet e personazheve që mishërojnë. Duke ndjekur këto udhëzime mund të iu hapen shumë dyer, një njeri kokë ulur dhe i kërrusur, vështirë të bjerë në sy pozitivisht e të kapë atë vend pune që dëshiron. Mos hiqni dorë dhe në pak kohë mund të arrini elegancën, sigurinë, optizmin e mbi të gjitha një shëndet më të mirë falë pozicionit korrekt.