Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për lirim nga qelia, lidhur me dënimin për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Bani, i cili nuk pranoi pretendimet e Kokës për shuarje të masës, duke argumentuar se nuk ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit.
Në korrik të këtij viti, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar.
Gjyqtari Xhevdet Lika theksoi se për pjesën e mbetur të dënimit, Koka duhet të qëndrojë nën mbikëqyrje të Shërbimit të Provës, duke mos kryer vepra të tjera penale gjatë kësaj periudhe.
NJOFTIMI
Kërkuesi Lefter Koka me datë 13.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për Lefter Koka”, baza ligjore nenet 263/3 dhe 250 të K.Pr.Penale.
2Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin nr. 656, datë 24.10.2025, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit Lefter Koka.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.


