Rreth 4400 persona janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në Itali, në raste të regjistruara që nga viti 2020, sipas shifrave të publikuara më 24 tetor nga ‘Rete L’Abuso’, grupi më i madh i viktimave të abuzimit klerikal në vend.
Sipas ‘Reuters’, numri i të dhënave bazohej në dëshmitë e viktimave, dokumentet gjyqësore dhe raportet e shtypit. Themeluesi i grupit, Francesco Zanardi, tha se nuk dihet se sa larg në kohë shkojnë disa nga akuzat.
Sinodi Italian i Peshkopëve, i cili kohët e fundit është kritikuar ashpër nga Komisioni i Vatikanit për Mbrojtjen e të Miturve, nuk ka komentuar mbi gjetjet, tha një zëdhënës.
Kisha Katolike është tronditur për dekada nga skandalet që përfshijnë pedofilinë dhe mbulimin e rasteve nga priftërinjtë, por autoritetet lokale të kishës në Itali janë akuzuar se nuk e kanë trajtuar problemin në mënyrë transparente. Papa
i ri, Leoni XIV, i cili u takua me të mbijetuarit e abuzimit klerikal për herë të parë këtë javë, u bëri thirrje peshkopëve “të mos i fshehin akuzat për shkelje”. Paraardhësi i tij, i ndjeri Papa Françesku, e bëri luftën kundër abuzimit një përparësi gjatë papatit të tij 12-vjeçar, por me rezultate të përziera.
Në një raport të publikuar më 16 tetor, Komisioni i Vatikanit për Mbrojtjen e të Miturve vuri në dukje se vetëm 81 nga 226 dioqeza italiane iu përgjigjën një pyetësori mbi praktikat e tyre të mbrojtjes së fëmijëve.
‘Rete L’Abuso’ tha se kishte regjistruar 1,250 raste të dyshuara abuzimi – disa prej të cilave përfshinin viktima të shumëfishta – nga të cilat 1,106 përfshinin priftërinj katolikë. Pjesa tjetër përfshinte murgesha, mësues fetarë, vullnetarë, edukatorë dhe anëtarë të organizatave të skautizmit.
Nga 1,106 priftërinj të dyshuar, vetëm 76 u çuan në gjykata kishtare, 17 u pezulluan përkohësisht, shtatë u transferuan në famulli të tjera dhe 18 u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen nga detyra e tyre priftërore. Pesë prej tyre raportohet se kanë kryer vetëvrasje.


