Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot, ditën e katërt, do të vazhdojë diskutimin mbi amendamentet për Projektbuxhetin për vitin 2026.
Dje u shqyrtuan dhe nuk morën mbështetje amendamentet e paraqitura nga opozita, me të cilat, ndër të tjera, kërkoheshin mjete shtesë për rritjen e pagave me 30 për qind në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe në përfaqësitë konsullore-diplomatike; fonde për krijimin e një sistemi të vetëm kombëtar informativ për lëndimet në punë; subvencione për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që zbatojnë ekonomi qarkulluese; për formimin e një sektori për ndryshimet klimatike; për subvencione për kompanitë që investojnë në burime alternative të energjisë dhe në efikasitet energjetik, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe transformim digjital; si dhe për përgatitjen e një studimi për vlerësimin e maleve Ograzhden dhe Kozhuf.
Për Projektbuxhetin janë paraqitur rreth 200 amendamente. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind të BPV-së. Shteti planifikon 374,7 miliardë denarë të ardhura totale, 413,9 miliardë denarë shpenzime totale, si dhe 40,5 miliardë denarë investime kapitale.
Seanca plenare në të cilën do të shqyrtohet Projektbuxheti për vitin 2026, sipas paralajmërimeve, pritet të mbahet më 9 dhjetor.


