Prokuroria e Posaçme kudër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i cili po gjykohet në mungesë pasi ndodhet në arrati në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se seanca gjyqësore është shtyrë, pasi avokati i Hajrit kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Prokuroria e Posaçme paraqiti provat në lidhje me Altin Hajrit, ku thuhet se ai ka qenë në dijeni të rrëmbimit të Jan Prengës sepse nga kqyrja e pamjeve filmike, ai ndodhje në kompeksin “Golden” në momentin që ka ardhur trupi i tij dhe madje ka mbyllur edhe qepenin e garazhit.
SPAK ka dorëzuar po ashtu edhe komunikimet në SkyEcc mes Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit.
DËSHMIA E DRITAN REXHEPIT NË GJKKO
Gramoz Rexhepi, që njihet edhe me emrin Dritan, është vënë nën akuzë për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë, dekadën e fundit: Rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës.
49-vjeçari pukjan u rrëmbye mesditën e 17 janarit të 5 vjetëve më parë, nga 4 persona në mes të Kamzës, u dërguar në një prej resorteve më të njohura në vend dhe më pas trupi i tij u zhduk. Në fakt, ishin ca pamje që u nxorën në media ku u mësua se i rrëmbyeri kishte mbërritur i pajetë në resortin e Altin Hajrit në Shijak, por policia, prokuroria dhe asnjë instancë që merret me hetimin e akteve të tilla nuk gjurmuan dot asnjë të dhënë që u mor vesh shpejt nga denoncimi i familjes Prenga.
Dritan Rexhepi është akuzuar si organizatori i atij akti brutal, ndërsa rrëmbimin dyshohet se e kanë kryer 4 persona nga Shkodra.
Pikërisht për shkak të kësaj akuzë, vlonjati Rexhepi ishte në gjykatë më 23 Prill ku mohoi përfshirjen në rrëmbimin e Prengës, njohjet me personazhet e krimit, si edhe përfshirjen në atë histori të vjedhjes së drogës në Angli, apo të njihte Altin Hajrin të zotin e resortit nga ku u zhduk trupi i Prengës.
Po ashtu ai kërkoi ballafaqim më të vëllanë e të zhdukurit, kërkoi të sillen komunikimet e SKY ECC në Gjykatë, kërkoi të mos i bëhej moral në sallën e gjyqit, e po ashtu të mos e përfshinin në atë akt, pasi ai në atë kohë gjendej në burg në Guayaquil-i në Ekuador, i dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine.
Por, që në krye të herës, u tha se një person me emrin Gramoz nga Vlora, kishte organizuar të gjithë ngjarjen, por Gramozi në GJKKO mohoi dje të ishte ai Gramozi nga Vlora për të cilin flet dosja.
Rexhepi deklaroi se lidhur me këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë komunikim në aplikacionin SkyECC, i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale, ndërsa i pyetur nga prokurorët e SPAK nëse ka njohje me Altin Hajrin, ‘mbreti i kokainës’ tha se nuk i thotë asgjë ky emër.
RRËFIMI
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador. Kam qenë i dënuar 13 vjet për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Doçajn (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar.
Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”, dëshmoi Rexhepi.
DËSHMIA E KOPSHTARIT TË RESORTIT
Festim Bexhdili, kopshtar i resortit, ka deklaruar se e kishte parë personin e vdekur, pra Jan Prengën.
Kopshtari tregoi se kanë qenë 4 persona të armatosur, jo të maskuar, por theksoi se nuk i mbante mend.
“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga Ranger në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin.
Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha mu dukën si nga veriu.
Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe ju tha “c’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të ikin shpejt. Nuk e di c’bëri Altini pastaj. Nuk e di për çfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën ne makinë. Pasi ata ikën unë shkova në shtëpi në Kavajë”, ka deklaruar Bexhdili.


